Analisti i njohur Dukagjin Gorani, në një intervistë për portalin Arbresh.info ka thënë se nga turpërimi i djeshëm në UNESCO u bë e qartë paaftësia historike e qeverisë sonë për t’i kuptuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sipas tij me këtë paaftësi është tallur edhe qeveria serbe gjatë gjithë procesit dhe dialogut.
Ai fajëson diplomacinë kosovare duke thënë se “Fajet janë të diplomacisë sonë, kryekëput. Të paditurisë dhe të paaftësisë së saj për t’i kuptuar marrëdhëniet ndërkombëtare – e, të cilat dje u dëshmuan të jenë më të zorshme se manipulimi me tenderë, me borde të ndërmarrjeve publike apo me vota të qytetarëve”.
I pyetur nga portali Arbresh.info se si e vlerëson deklaratën e fundit të nënkryetares së Parlamentit Europian Ulriche Lunacek, e cila tha se Kosova duhet të kërkoj ndryshim të qasjes së dialogut me palën serbe, z.Gorani tha se “Zëri i Lunaçekut është i vetmuar në qarqet e BE-së që merren me Kosovë dhe Ballkan. Pajtohem me të, porse s’është punë e lehtë ajo për të cilën flet”.
Intervista e plotë me z. Dukagjin Gorani:
Arbresh.Info: Si i vlerësoni ju deklaratat e disa analistëve tonë, të cilët kërkojnë që të ndërpritet dialogu më Serbinë?
D.Gorani: Prej turpërimit të djeshëm në UNESCO, kemi një situatë të re. U bë e qartë paaftësia historike e qeverisë sonë për t’i kuptuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Besoj se tash me këtë pajtohen edhe konformistët e militantët partiakë që përkrahin këtë koalicon qeveritar. Po ashtu, u bë e qartë se qeveria serbe ishte tallur me paaftësinëe përfaqësuesve tanë gjatë gjithë procesit e dialogut. Më 2013 e kishte mashtruar lehtësisht qeverinë e mëparshme – sikurse edhe këtë aktuale, në gushtin 2015.
Mendoj se ky koalicion qeveritar ka humbur çfarëdo të drejte për ta vazhduar dialogun me Serbinë. Tash e sa vjet, në skenën ndërkombëtare ai është shndërruar në objekt të talljes së përgjithshme. Në skenën e brendshme është dëshmuar zhvatës dhe i paturpshëm. Si i tillë, nuk guxon dhe nuk mund të vazhdojë tutje meqë do të rrezikonte shpërthim të gjerë të pakënaqësisë popullore.
Sa për ‘diplomacinë’ tonë: dje u dëshmua fëmijërore dhe provinciale. S’do mend, e tillë ishte gjithnjë gjatë viteve, porse dje e mori shuplakën e parë serioze. Jam i bindur se dje, për herë të parë, ‘diplomatët’ tanë e kuptuan se sa naive i kishin botëkukptimet mbi botën, politikën, aleancat, ideologjitë, traditat politike, interesat, etj. U poshtëruan me arsye dhe mbetën pa asnjë arsyetim.
Arbresh.Info: Sipas jush ku qëndron faji kryesor që Kosova dështoi në anëtarësimin e saj në UNESCO?
D.Gorani: Fajet janë të diplomacisë sonë, kryekëput. Të paditurisë dhe të paaftësisë së saj për t’i kuptuar marrëdhëniet ndërkombëtare – e, të cilat dje u dëshmuan të jenë më të zorshme se manipulimi me tenderë, me borde të ndërmarrjeve publike apo me vota të qytetarëve.
Këtu, fajin nuk mund t’ia hedhim Serbisë: ajo e bëri atë që pritej prej saj. Na mashtroi dhe na poshtëroi duke shfrytëzuar budallallëkun e përfaqësuesve tonë. As bashkësia ndërkombëtare nuk ka faj. Ajo zhvilloi një betejë të rëndomtë të interesave: pati shtete që na përkrahën, por më shumë të tilla që na refuzuan. Arsyet janë të tyre.
Por, marrëzia historike e ‘diplomacisë’ sonë ishte përzgjedhja e kohës së gabueshme për aplikim. Kjo dëshmon për naivitet dhe papërgjegjësi. Deshti që dështimet e brendshme t’i mbulojë dosido me ndonjë ‘triumf’ ndërkombëtar. E deshti një sukses global për të triumfuar në telashet lokale. Po të ishte normale, do ta synonte të kundërtën. Nuk e kuptoi dot se dështimet e brendshme në udhëheqje të vendit do ta detyronin një numër të aleatëve tanë që ta refuzojnë lojën e saj naive.
Çfarë menduan dje diplomatët tanë, me në krye ministrin e jashtëm? Se talljet lokale me drejtësinë, me Gjykatën Kushtetuese, me zhvatje të buxhetit shtetëror, me shkarkim arbitrar të rektorit – nuk do të merren parasysh nga ‘miqtë ndërkombëtarë’? Vërtet? Le t’i pyesin sot përfaqësuesit e Polonisë e të Japonisë për arsyet e mospërkrahjes.
Shkurt, po këta miq ndërkombëtarë nuk qenë fare të interesuar që të lobojnë për interesat e një shteti jofunksional, me traditë të pasur në qeverisje të korruptuar. U desht vetëm tri vota kundër për t’i dhënë fund krekosjes shumëvjeçare të ‘diplomacisë’ sonë për aftësitë e veta ndërkombëtare.
Arbresh.Info: Si e vlerësoni deklaraten e fundit të nënkryetares së Parlamentit Europian Ulriche Lunacek e cila dërgoi një mesazh të qartë duke thënë se Kosova duhet të kërkoj ndryshim të qasjes së dialogut me palën serbe?
D.Gorani: Zëri i Lunaçekut është i vetmuar në qarqet e BE-së që merren me Kosovë dhe Ballkan. Pajtohem me të, porse s’është punë e lehtë ajo për të cilën flet. Jemi në një situatë makabre. Në njërën anë, dialogu nuk mund të vazhdojë me këtë koalicion qeveritar – kjo është tashmë e qartë. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk po lejon ndryshim të pushtetit, rishqyrtim të marrëveshjeve apo zgjedhje të parakohshme.
Si të dalim nga ky budallallëk? Qartazi, askush nuk ka haber. Të gjithë duan të shtiren se, disi, situata do të zgjidhet vetëvetiu. Dje në Paris e kuptuam se asgjë nuk zgjidhet ‘vetëvetiu’, me vetë-lavdërime dhe me shpresë në konsiderata humanitare të botës.
Mendoj se është çasti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të heq dorë nga përkrahja kokëfortë e këtij koalicioni qeveritar në emër të stabilitetit rajonal. Kosovarët duhet të lejohen ta prodhojnë një udhëheqje politike që i përfaqëson interesat më të gjera popullore, e jo vetëm të bandave që zhvatin vendin dhe premtojnë stabilitet rajonal. Kjo qasje tashmë u bë e neveritshme.
Mirëpo, kam frikë se një vetëdije e këtillë nuk ekziston në Bruksel e gjetiu. Atje nuk duan ta kuptojnë seriozitetin e keq-qeverisjes së Kosovës për gjithë këto vite. Nuk duan ta kuptojnë shkallën e pezmit në shoqërinë tonë. Nuk e shohin se si klientelizmi ekonomik e politik na ka katandisur edhe moralisht. Shkurt, nuk mund të presim prej tyre që të na çlirojnë nga papërgjegjësia jonë. Këtë koalicion qeveritar e votuan vet kosovarët. Skandalet dhe turpërimet që i përjetojmë sot prej tij janë ndëshkimi më i madh që i bëhet papjekurisë sonë politike./Arbresh.info/
Parashikimi i motit në Shqipëri, reshje shiu dhe borë
Aksident në aksin rrugor Peshkëpi-Vlorë, dy të lënduar
Dritë në fund të tunelit për Barcelonën në lidhje me Dani Ol...
Pse turistët zhgënjehen nga Parisi?
Përurohet një shkollë dhe një çerdhe në Viti, merr pjesë Nag...
KQZ sot miraton fletëvotimin, të enjten nis votimi jashtë Ko...