I akuzuari për krime lufte ndaj popullsisë civile në vitin 1999 në fshatin Sllovi të Lipjanit, Goran Stanishiq ka mohuar se ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Stanishiq duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ljubomir Pantoviq ka thënë se në fshatin Sllovi kishte jetuar deri në qershor të vitit 1999 dhe se në të njëjtin fshat kishin jetuar shqiptar, serb dhe romë.
Ai ka deklaruar se gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë polic rezervë në stacionin policor të Lipjanit dhe se detyrë e tij kishte qenë sigurimi i objektit të atij stacioni.“Kam mbajtur uniformë të kaltër maskuese-kamuflazh.
Gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur uniformë tjetër”, ka thënë i akuzuari.Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë, më 15 prill 1999 ishte sulmuar fshati Sllovi dhe ishin vrarë shumë banorë të fshatit, të nacionalitetit shqiptar.“Fqinjët e mi shqiptar nuk e di saktë se kush i ka vra por sipas fjalëve që i kam dëgjuar në stacion policor dhe në fshat është thënë se atë e kanë bërë paramilitarët të cilët kanë ardhur nga Serbia”, ka thënë i akuzuari.
Atë ditë i akuzuari tha se ka qenë në punë në stacionin policor në Lipjan dhe se pasdite, pas orës 13:30, tha se kishin dëgjuar se po ndodhte diçka në Sllovi.
“Ajo ditë ka qenë si çdo ditë tjetër kemi punuar në stacion policor, diku pasdite në ora 13:30 ose 14:00, ka ardhur një informatë se po ndodh diçka në fshatin Sllovi. Aty i kam pasur bashkëshorten me tre fëmijë dhe nënën. Unë jam mundu që t’i thërras nga stacioni i policisë në shtëpi, pas disa minutash kam arritur ta marrë në telefon bashkëshorten dhe e kam pyetur se çka po ndodhë, ajo më tha se fshati është kaos dhe është sulmuar”, ka thënë i akuzuari Stanishiq.
Në atë moment ai tha se ishin ngjitur në katin e tretë të stacionit policor dhe nga aty tha se kishte vërejtur që në drejtim të fshatit Sllovi kishte pasur tym.
Pas kësaj, ai tha se së bashku me një koleg kishin kërkuar leje nga shefi i ndërrimit që të shkojnë në fshat, për shkak se sipas të akuzuarit, familja e tij ishte aty.
“Ai na dha leje mua dhe policit rezervë Lubisha Periq, me automjetin tim jemi nisur për në Sllovi, kur kemi arritur në Dobrotin, aty gjendet një dyqan, para dyqanit kur kemi arritur kanë qenë disa persona. Ne aty jemi ndalu dhe i kemi pyetur se a e dinë se çka po ndodh në fshatin Sllovi, ata na thanë se është dëgjuar vetëm krismat”, ka thënë i akuzuari.
Pas kësaj tha se ishin nisur në drejtim të fshatit Sllovi dhe gjatë rrugës tha se kishte takuar disa bashkëvendës, të cilët i kishin thënë se nuk e dinë se çka ka ndodhur, por vetëm kishin dëgjuar krisma.“Pas 100-150 metra e kemi parë që në drejtim tonin po vijnë 3-4 ushtarë, kanë qenë me uniformë ushtarake, ngjyrë e gjelbër, ata njerëz kurrë në jetë nuk i kam parë, na kanë pyetur se çka po bëni këtu ne i treguar se po shkojmë në fshat pasi ne jetojmë këtu, ata na lëshuan”, ka thënë i akuzuari.Ai tha se kush kishin vazhduar më tej në skaj të rrugës e kishin parë trupin e pajetë të një gruaje, por tha se nuk kishin ndalë aty për shkak se përpos saj nuk kishte qenë askush aty.“Kur jam kthyer për të shkuar në shtëpinë time, në skaj është shtëpia e Murat Gashit. Kur kam arritur aty janë dyert e mëdha të oborrit, kanë qenë të hapura dhe është parë që janë disa trupa të pajetë”, ka thënë i akuzuari.Ai tha se ishte nisur në shtëpi kishte hyrë në oborr dhe kishte takuar familjen e tij, që sipas të akuzuarit, kishin qenë të frikësuar, pasi kishin dëgjuar krisma dhe se kishin parë vendasit shqiptar duke ikur nga fshati.“Unë kam qëndru aty me familjen time në shtëpi. Nuk kam dal prej shtëpisë fare sepse kam qenë i shqetësuar kur i kam parë trupat e pajetë”, ka deklaruar i akuzuari.
Të nesërmen, me 16 prill 1999, ai tha se një kumbarë i tij kishte ndërruar jetë dhe se varrimin e të njëjtit e kishte pasur atë ditë.“Ka qenë i caktuar varrimi i kumbarit dhe unë kam qenë në varrim, jam nisur diku rreth orës 8:00, ndërsa varrimi ka qenë prej orës 13:00 deri në 15:00. Jam nis më herët pasi jemi kumbarë dhe është zakon te na me shku me herët për me ju ndihmu. Unë nuk jam larguar nga fshati, ka qenë varrim i madh, fshati Dobratin ka qenë fshat i madh, kanë qenë edhe ushtarët e ushtrisë pasi ai ka punuar në ushtri”, ka thënë i akuzuari.Sipas tij, ai në varrim nuk kishte pasur të veshur uniformen e policisë dhe as nuk kishte qenë i pajisur me armë.Pas luftës, me 24 qershor 2009, ai tha se ishte larguar së bashku me familje nga fshati Sllovi, pasi sipas tij, të gjithë vendasit serb kishin ikur nga ky fshat dhe se arsyeja e dytë e largimit të tij, ka qenë kidnapimi i një familjari Zoran Stanishiq.
Ai tha se atë kohë kishe poseduar një traktor, një kamion dhe dy vetura, të cilat tha se kur kishin vendosur ta lëshojnë fshatin, traktorin e kishte vozitur ai, kamionin babin e tij, njërën veturë bashkëshortja dhe veturën tjetër miku i tij.Edhe pas luftës, i akuzuari ka thënë se ka qenë disa herë në Kosovë, për shkak se sipas tij, dy motrat e tij jetojnë në Kosovë, si dhe edhe familja e bashkëshortes së tij dhe disa familjarë të tjerë.
Por sipas tij, në fshatin Sllovi nuk kishte shkuar asnjëherë për shkak se shtëpinë ia kishin djegur.Ai ka thënë se ka pasur paluajtshmëri në fshatin Sllovi, por sipas tij e kishte shitur pas luftës, ku njërën pronë në fshatin Terbovc tha se i kujtohet që ia kishte shitur dikujt të këtij fshati, që sipas të akuzuarit sa i kujtohet emrin e ka pasur Mehmet Ali.I akuzuari Stanishiq ka thënë se në vitin 2006 ka dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Speciale në Beograd, për krimet që kishin ndodhur në Sllovi.
I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, ka thënë se nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë shqiptar.Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj e pyeti të akuzuarin se pse dëshmitarët që i kishte pasur fqinjë dhe që kishte pasur raporte të mira me ta, kishin deklaruar se e kishin parë të akuzuarin që kishte zbritur prej automjetit të kuq ku ishte vrarë i ndjeri “Agron”, si dhe kishin deklaruar se e kishin parë të akuzuarin në mesin e policëve në vrasjen në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”?.
“Babës dhe nënës së tyre unë ia kam shitur livadhin në 2016, unë kurrë nuk ia kisha shit livadhin nëse kish ndodh kështu dhe as ata nuk e kishin ble prej meje, ata kanë mujt mem lajmëru meniher”, ka thënë i akuzuari.Ai në fund ka thënë se i vie keq për këtë rast që ka ndodhur dhe se personi përgjegjës duhet të jap përgjegjësi.“Më vjen shumë keq që ka ndodhur kjo. Ai që këtë e ka bërë më të vërtetë duhet të përgjigjet. Unë s’kam asnjë me këtë punë nëse do të kisha diçka kurrë nuk do të kisha ardhur në Kosovë”, ka thënë në fund i akuzuari.
Fjala përfundimtare pritet të mbahet më 30 shtator 2021, në ora 09:30”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.
Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.
Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.
Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...