Google ADS

“Goditja” për një muaj prangosi mbi 300 persona, prinë Prishtina

10:59 | 9 Shtator 2023
K.B

321 persona kanë përfunduar në pranga të Policisë së Kosovës gjatë operacionit njëmujor “Goditja”.

Gjatë këtij aksioni, i cili ka nisur nga 8 gushti e ka zgjatur deri më 6 shtator, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 90 persona vetëm në rajonin e Prishtinës, raporton Arbresh.info.

Ky aksion nisi pas tre vrasjeve të njëpasnjëshme që ndodhen në Kosovë.

Policia e Kosovës për Arbresh.info bën të ditur se në rajonin e Prishtinës ka më së shumti të arrestuar, duke pasuar pastaj Gjilani e Ferizaj.

“Në rajonin e Prishtinës kemi më se shumti të arrestuar, 92 persona; Gjilani me 69 persona; Ferizaj me 44 persona; Peja dhe Mitrovica e Jugut me nga 40 persona të arrestuar. Në rajonet tjera kemi numër më të vogël të arrestuarve”, bënë të ditur policia

Arsyet e arrestimit të këtyre personave, sipas policisë ndërlidhen më së shumti për posedim të narkotikëve, mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve, si dhe persona të kërkuar me urdhëresë nga Gjykata.

Njohësit e çështjeve të sigurisë pohojnë se organet e sigurisë duhet të vazhdojnë me aksione të tilla.

Njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala për Arbresh.info thotë se politika ka qenë vazhdimisht neglizhente në përmbushjen e kërkesave të strukturave të sigurisë në vend.

Sipas tij, duhet të ketë strategji adekuate për ata që cenojnë sigurinë e publike në vend.

“Politika ka dëshmuar që është neglizhente në përmbushjen e kërkesave që vijnë nga strukturat e sigurisë. Dhe çështja e sigurisë në vend do të duhej që të kemi një strategji adekuate, jo të adaptume për problematikën, e pika që cenojnë sigurinë publike të vendit. Ku nga këto mund të jetë edhe shtimi i pikave statike të kontrollit dhe mobile për të avancuar tutje mbrojtjen e sigurisë publike në vend”, thotë ai.

Sipas Shalës, Policia e Kosovës si institucion i besueshëm i sigurisë në Kosovë ka dëshmuar që mund të mbështetet në këtë mekanizëm me të gjitha qeveritë.

“Policia e Kosovës si institucioni me i besueshëm i sigurisë në Kosovë është dëshmuar që mund të mbështetet në këtë mekanizëm të gjitha qeveritë për të quar tutje kërkesat e tyre politike në fushën e sigurisë për vendin”, shprehet Shala.

Ndryshe, ky vendim i Policisë së Kosovës për planin operativ “Goditja” erdhi pas vrasjeve që ndodhën në vendin tonë gjatë muajit gusht, ku u vranë 4 persona.

Një person u qëllua për vdekje në një lokal në Prishtinë, një tjetër person u vra po ashtu për në mes të një lokali në Klinë, një tjetër person mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal nate në Skenderaj.

Por, vrasjet nuk u ndaluan me kaq, Më 31 gusht një i ri rreth moshës 30 vjeçare u qëllua për vdekje në Malishevë, ndërsa më 2 shtator rreth orës 18:45 minuta, në Prizren u qëllua për vdekje në sy të familjes së tij në Prizren, 48-vjeçari Beqir Morina./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme