Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar me notën 5.5 Qeverinë e Kosovës.
Nga GLPS kanë thënë se nga shkalla 10 e kanë vlerësuar qeverinë me atë 5.5 për sektorë të ndryshëm.
Njoftimi i plotë:
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka mbajtur sot konferencën për media me temën “Vlerësimi i 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti II”.
GLPS ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të punës së qeverisë Kurti II për 100 ditët e para. Fillimisht në këtë konference janë shpalosur vlerësimet që GLPS i ka dhënë qeverisë në pesë kategori, dhe më pastaj vlerësim më të detajuar për sektorët më të rëndësishëm të qeverisjes.
Performanca e përgjithshme: sipas matjes nga GLPS, Qeveria Kurti II në treguesin e performancës së përgjithshme për këto 100 ditë ka shënuar një shkalle prej 5.5 nga 10 në total. Kjo notë vlerësimi është matur bazuar në indikatorët siç janë: premtimet e fushatës elektorale dhe programin qeverisës, si dhe implementimi i tyre në këtë 100 ditësh. Duke marre parasysh narracionin transformativ te qeverisë Kurti II, pritshmëritë nga ana e qytetareve dhe ne anën tjetër realizimin e politikave që nga shëndetësia e deri tek politika e jashtme, GLPS ka konkluduar se performanca gjenerale është thënë së buti e vakët.
Integriteti: Fusha e dytë është e integritetit te qeverisë për të cilin vlerësimi është 8. Integriteti matet nga profesionalizimi i kabinetit qeveritar dhe komponenti i përfshirjes se personave të emëruar në afera korruptive, shtuar këtu mungesën e precedentëve penal dhe rasteve aktive ne gjykata.
Planifikimi dhe Koordinimi: në fushën e planifikimit dhe koordinimit sipas analizës së GLPS ka shumë ngecje dhe nevoja për përmirësim është e domosdoshme. Thëne ketë GLPS ka vlerësuar me 4 pikë punën e qeverisë në këtë drejtim marrë parasysh që programi qeverisës është votuar nga qeveria rreth dy muaj pas marrjes së detyrës. Për më tepër, është konkluduar se programi është shumë i gjerë dhe pa një përcaktim të saktë të aspekteve transformuese. Po ashtu plani operacional i punës që përcakton afate dhe objektiva të qarta të implementimit të programit qeverisës mungon. Agjenda legjislative ndonëse ambicioze ka pësuar ndryshime vazhdimisht, gjë që shpërfaq mungesën e duhur te planifikimit.
Transparenca e përgjithshme: në ketë drejtim qeveria Kurti II, ka shënuar një vlerësim me notën 6.5. Ky vlerësim është bërë duke e matur transparencën në relacion me publikun, me vendimet e marra nga dikasteret e qeverisë, si dhe nga transparenca e zyrës së kryeministrit. Kjo e fundit, ka shënuar një notë të ulët të vlerësimit si pasojë e mbylljes ndaj publikut, mediave dhe shoqërisë civile në shumë aspekte.
Kapacitet njerëzore: në ketë 100 ditësh deficit i theksuar është shënuar në fushën e kompletimit të stafit profesional dhe politik në kabinetin e kryeministrit, zëvendës kryeministrave si dhe në tërësi në kabinetet ministrore, duke u notuar me 3 pikë. Në bazë të monitorimit të GLPS që nga zyra e kryeministrit deri tek çdo ministri ka mungesë të kompletimit të kabineteve. Më problematik bëhet fakti që këto institucione nuk kanë treguar transparencë në publikimin e stafit të punësuar në këtë periudhë. Ngecja në kompletim në fushën e burimeve njerëzore direkt ka ndikuar përformancën e përgjithshme për të shënuar një rezultat jo të kënaqshëm.
Ndërsa në analizën e fushave më të rëndësishme të qeverisjes vlerësimi është si vijon:
Në fushën e menaxhimit të pandemisë COVID-19 GLPS shtoi se mungesa e një strategjie të qartë operacionale ishte evidente pasi situata u përkeqësua dhe reagimi i qeverisë nuk ishte i përshtatshëm për kushtet e krijuara.
Sidoqoftë, me sigurimin e një numri më të madh të vaksinave dhe me masa shtesë, menaxhimi i pandemisë deri ne ditën e 100-të ka shënuar një progres solid. Shqetësim mbetet numri i të vaksinuarve pasi Kosova ende renditet e fundit ne rajon sa i përket vaksinimit të popullatës dhe mbetet
larg objektivit që është 60% e vaksinimit të popullatës deri ne fund të vitit 2021. GLPS e sheh me shqetësim fillimisht vonesën për sigurimin e vaksinave dhe tempos ende të ulët të distribuimit të tyre, dhe jo menaxhimit të duhur të procesit të imunizimit në fazën e parë. Megjithatë, përmirësimi i gjendjes me luftimin e COVID-19 është evident krahasuar me ditën kur Qeveria Kurti II ka marrë detyrën.
Ne fushën e rimëkëmbjes ekonomike GLPS ka theskuar që Qeveria Kurti deri më tani nuk ka arritur që shumicën e objektivave dhe masave ekonomike t’i përfundojë në këtë tre mujor të parë. GLPS e sheh me shqetësim që deri më tani vetëm 6 milionë janë ndarë për mbështetjen e sektorit privat të prekur nga pandemia, gjegjësisht sektorin e gastronomisë dhe transportit privat. Aspekt pozitiv vlerësohet, kalimi në lexim të parë të heqjes së homologimit, si politikë progresiste në shërbim të qytetarit. Gjithashtu, një serë bordesh të ndërmarrjeve publike janë shkarkuar dhe e zëvendësuar me borde të reja, veçse ende nuk është paraqitur ndonjë strategji nga Qeveria dhe bordet e reja për ri vitalizmin e këtyre ndërmarrjeve. GLPS vlerëson se në këtë 100 ditësh më shumë ka pasur premtime dhe objektiva të paraqitura se sa rezultate te prekshme në të gjithë sektorët e zhvillimit ekonomik dhe rimëkëmbjes nga pandemia në veçanti.
Tek fusha e sundimit të ligjit GLPS ka konkluduar se qeveria ka ndërmarrë disa iniciativa për të iniciuar reforma ne këtë fushë, respektivisht në vetting, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe në krijimin e gjykatës komerciale. Në fushën e vettingut GLPS ka theksuar se ndonëse ishte premtuar një vetting gjithëpërfshirës në të gjitha institucionet e sundimit të ligjit, aktualisht plani i vettingut ka marrë iniciativa vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët. Nëse institucionet e tjera që bien nën sektorin e shtetit të së drejtës do të përjashtohen nga verifikimi, reforma do të jetë e pjesshme dhe nuk do të adresojë problemet sistematike të sektorit.
Sa i përket agjendës legjislative është thënë se agjenda legjislative që qeveria Kurti II ka publikuar është tejet ambicioze dhe afatet kohore nuk janë realiste. Kur krahasohet me agjendat legjislative të pesë viteve të fundit, qeveria Kurti II ka numrin më të lartë të iniciativave të reja për të ndryshuar plotësuar ligjet ekzistuese. Nga 93 projektligje të reja, 29 janë nisma të reja legjislative, ndërsa 64 janë trashëguar nga agjendat e mëparshme. Sa i përket performancës në këtë fushë, qeveria Kurti II mbetet e ngadaltë në ritmin e saj për të përmbushur agjendën legjislative të vitit 2021. Bazuar në analizën e GLPS vetëm 14.5% e agjendës legjislativë është përmbushur ose iniciuar, dhe do të jetë e vështirë te zbatohet tërësisht deri në fund të vitit.
Në politikën e jashtme është thënë se nuk ka strategji të qartë për reformim të shërbimit të jashtëm. Ndërsa tek dialogu GLPS ka thënë se qasja e Kurtit në takimin e parë në Dialog paraqiti një ndryshim në krahasim me paraardhësit e tij. Përveç kërkesës për njohje nga Serbia, kryeministri Kurti bëri katër propozime që përfshinin çështjet nga bashkëpunimi rajonal ekonomik, marrëveshja e paqes, e deri tek për personat e zhdukur. Sidoqoftë, nuk u arrit asnjë konsensus për propozimet e Kurtit dhe as për agjendën e dialogut. GLPS e sheh si deficit mosarritjen e konsensusit të brendshëm politik mbi vijueshmërinë e dialogut Kosovë Serbi dhe mungesën e një platforme të qartë dialoguese ku parashihen objektiva të qarta nga ana kosovare./arbresh.info/
28 Nëntori brenda familjes së Isa Boletinit, ndër objektet m...
Komuna e Zveçanit seancë solemne për nder të 28 Nëntorit
Nesër përurohet Parku i Ulpianës, merr pjesë Rama
Nisin homazhet pranë kompleksit “Adem Jashari”, Konjufca: 28...
Dua Lipa uron 28 nëntorin: Një komb, një flamur
Aksident në Korçë, një i lënduar