Google ADS

GLPS e quan paaftësi të Qeverisë anulimin e projektit të BE-së prej 12 milionë eurosh

11:06 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin e thellë me paaftësinë e Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve relevante komunale për të përfituar nga ndihma financiare e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 12 milion Euro, e që i dedikohet ndërtimit dhe menaxhimit të mbetjeve toksike.

Kjo është humbja e radhës e fondeve IPA të BE-së, dhe në të njëjtën kohë, është tregues i mënyrës se si Kosova po e pozicionon veten e saj në politikën e zgjerimit të BE-së. Humbjet e tilla të fondeve IPA nuk kanë vetëm peshë financiare, por, më së shumti, kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës si një partner serioz në procesin e integrimit. Jo vetëm kaq, por me humbje të tilla Kosova vazhdon t’i lëshoj vendin shteteve tjera në rajon si Serbia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, të cilët jo vetëm që përfitojnë shumë herë më shumë asistencë IPA nga BE-ja në krahasim me Kosovën, por po e kurojnë imazhin e tyre përmes menaxhimit adekuat dhe të përgjegjshëm të fondeve të tilla.

Duhet të rikujtojmë që nëpërmjet këtij vendimi, Kosova humbi 12 milion euro investim për të përmirësuar mjedisin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Këto fonde ishin donacion që BE-ja i ka dedikuar Kosovës, kurse institucionet e Kosovës, së paku, është dashur të jenë falënderuese dhe të çmojnë ndihmën e drejtpërdrejtë për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Qeveria thjeshtë dështoi për të gjetur një pronë publike ku do të mundësonte vendosjen e implantit të mbetjeve toksike, në të cilin do të vendosej ky investim i BE-së.

Ky lajm sa zhgënjyes është edhe tregues që axhenda për një Kosovë Evropiane mbetet në letër dhe është retorikë boshe e institucioneve të Kosovës. Për më tepër, ky fond prej 12 milion eurosh përveç që është ndihmë e drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës, në vetvete ka përfshirë edhe ndihmën e ekspertëve ndërkombëtar për të planifikuar dhe menaxhuar mbetjet toksike të shpërndara në gjithë territorin e Kosovës (që nuk menaxhohen nga institucionet përkatëse) dhe janë rrezik i përditshëm për jetën qytetare të Kosovës.

GLPS shpreh zhgënjimin e thellë me veprimin dhe paaftësinë e institucioneve të Kosovës për të kuptuar rëndësinë e ndihmës financiare të ofruar në këtë rast, si dhe dështimin e tyre për t’u angazhuar që Kosova të ketë mundësi të përfitoj projekte të tilla në të ardhmen.

Kjo qasje përveç që është dështim për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, e njejta  është tregues që institucionet e Kosovës nuk ka kapacitetin minimal për të përfituar nga donacionet e huaja.

 

Lexo edhe: BE ia anulon Kosovës një projekt prej 12 milionë eurosh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme