Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, tha Konjufca.
Një deklarim të tillë, Konjufca e ka dhënë të martën në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa.
“Veprimi im ka qenë në atë kohë gati para 6 viteve plotësisht politik dhe konsideroj që për veprimin që e kam bërë e kam ndjerë veten të obliguar që ta bëj dhe kjo thirrje më ka ardhë edhe prej betimit që e kam bërë si deputet i Kosovës, me ç‘rast kur jam betuar kam deklaruar që me çdo kusht dhe me çdo mjet do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës se Kosovës”, shtoi ai gjatë deklarimit të tij rreth fajësisë.
Më pas, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka njoftuar Konjufcën me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Ndërsa, lidhur me kërkesat eventuale, gjykatësja Çanta deklaroi se do të vendos jashtë seance.
Po ashtu, palët u pajtuan që shqyrtimi i dytë për këtë çështje penale mos të mbahet.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 7 prill 2022 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj Glauk Konjufcës.
Seanca fillestare e caktuar më 7 prill 2022 kishte dështuar të mbahej në mungesë të të akuzuarit Konjufca, i cili e kishte njoftuat gjykatën për mosardhjen e tij në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi/
Për çfarë e vë në siklet Sara-Drilonin?
Kosova dhe Shqipëria mbledhje të përbashkët Kuvendi, publiko...
Rina Balaj thumbon Butrint Imerin: Është i mbivlerësuar
Gresa e imiton Drilonin se si e përqafoi Saren për herë të p...
Operacion i EUROPOL dhe SPAK: Nëntë të arrestuar, konfiskohe...
Nesër prezantohet qasja e Qeverisë për Programin për Paranda...