Gjyqtari Simmons është i gatshëm të dëshmojë për shkeljet e EULEX-it

00:10 | 25 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

As Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) e as zyrtarë të Bashkimit Evropian nuk i kanë hedhur poshtë të gjeturat se gjykatës evropianë të pandehurve kosovarë iu referohen si kafshë.

Ndërkohë, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, është i gatshëm të vijë në Kosovë për të dëshmuar parregullsi të mëdha të misionit, në veçanti në rastin “Drenica 2”.

 Hulumtimi i fundit i RTK-së në të cilin u hodhën dyshime serioze për keqpërdorime në misionin më të madh evropian në Prishtinë, në veçanti në rastin “Drenica 2”, ka nxitur reagime të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Zëdhënësja e Punëve të Jashtme dhe e Politikave të Sigurisë në BE, Maja Kocijancic, nuk ka mohuar asnjë prej fakteve të publikuara.

“Para kësaj vjeshte, Simmons nuk ka ngritur asnjë dyshim. Është e panevojshme të thuhet se nëse ai ishte i vetëdijshëm për këto akuza paraprakisht, ai duhet të kishte reaguar, veçanërisht në rolin e tij si president i gjyqtarëve të EULEX-it. Nëse, për shembull, dëshironte të siguronte prova për çdo gjykatë në Kosovë, ai mund ta kishte bërë këtë duke ndjekur procedura të qarta që ekzistojnë për raste të tilla”, ka thënë ajo, duke shtuar se Simmons ka refuzuar të jetë pjesë e një hetimi të iniciuar pas akuzave të tij.

Por, krejt ndryshe flasin provat e siguruara nga RTK. Sipas dokumenteve që televizioni publik posedon, Simmons ishte kërcënuar nga menaxhmenti i EULEX-it kur kishte provuar të sillte dëshmi në Gjykatën Supreme për keqpërdorime të mëdha të misionit, të paktën në rastin “Drenica 2”.

Po ashtu, ekzistojnë prova që dëshmojnë se Simmons nuk ka reaguar vetëm në vjeshtën e këtij viti, por se raportimet e tij kanë nisur vite më parë.

Ndryshe, dokumentet dëshmojnë se Malcolm Simmons edhe sot është i gatshëm të raportojë për krejt gjetjet e tij për keqpërdorime të misionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme