Google ADS

Gjyqtares së EULEX-it nuk i mjaftoi një pagë, u angazhua edhe në Gjeorgji

21:52 | 16 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, bullgarja Snezhana Botusharova – Doicheva, nuk ishte mjaftuar me vetëm një pagë që e merrte për punën e saj në Kosovë.

Nga dhjetori i vitit 2014, Botusharova, ishte bërë pjesë e projektit 30 muajsh “Mbështetje e Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë”, megjithëse kërkesa i ishte refuzuar nga atëherë shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, raporton KTV.

Po, siç bëjnë të ditur burimet e KTV-së, po atë ditë që kishte marrë refuzimin, edhe Botusharova ishte tërhequr nga kërkesa, por jo nga projekti, i financuar nga BE-ja me 1.2 milionë euro.

Emri i saj, figuron në lajmin e publikuar më 5 dhjetor 2014, në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë, ku Botusharova si udhëheqëse e projektit, kishte shpjeguar qëllimin e tij.

Përveç kësaj, bashkë me ekipin e këtij projekti, Botusharova kishte vizituar edhe Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg.

Në ueb-faqen e zbatuesit të këtij projekti, rezulton se ai është kompletuar.

ka pritur një kohë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, në pyetjet nëse kishin njohuri për një angazhim të dytë të gjyqtares Botusharova, që ka mandat deri në qershorin e vitit të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje.

Megjithëse nuk e kishte përmendur emrin e saj, në intervistën e tij dhënë për “Le Monde”, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, kishte lënë të kuptohet se bëhet fjalë për gjyqtaren Botusharova.

E, në një përgjigje për KTV-në, EULEX-i ka përsëritur se të gjitha pretendimet e bëra nga Simmonsi, por edhe ato kundër tij, janë pjesë e një hetimi të pavarur nga një gjykatës i Gjykatës Evropiane.

Një ish-koleg i gjyqtares Botusharova në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, amerikani Robert Carolan, për veprime thuajse të ngjashme, ishte hetuar nga Zyra Evropiane kundër mashtrimeve.

Njëkohësisht me pozitën e tij në Kushtetuese, ai kalonte shumicën e kohës në shtetin e Minnesotas, derisa përveç pagës, merrte edhe mëditjet për kohën që nuk e kalonte në Kosovë.

OLAF, nuk e kishte komentuar rezultatin e hetimeve, por kishin rezultuar me dorëheqjen e tij nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën më të lartë në Kosovë./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme