I dëmtuari Mensur Bunjaku, në seancën e cila ishte paraparë të mbahej të hënën, ndaj të akuzuarve për vrasjen e vëllait të tij, i është drejtuar gjykatësit të rastit, Kujtim Krasniqi, me fjalët “edhe ti koke i shit”.
Këtë deklarim i dëmtuari Bunjaku u bëri gjatë diskutimit lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Fejard Llugaliu, i cili së bashku me vëllain e tij, Sedat Llugaliu, po akuzohen se në vitin 2016, në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme me familjen Bunjaku, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi bëri të ditur se rigjykimi për këtë rast nuk do të mund të nis, për shkak të mungesës së të akuzuarit Sedat Llugaliu, i cili gjendet nën masën e paraburgimit.
Krasniqi i njoftoi palët se me kohë kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit, e cila tha se ishte konfirmuar, por që mos sjellja e të akuzuarit nuk është arsyetuar nga ana e shërbimit të transportit të Shërbimit Korrektues.
“Ne kemi lëshuar urdhëresë, është konfirmu urdhëresa mirëpo pse nuk e kanë sjellë ata e dinë”, tha gjykatësi Krasniqi.
Në seancë prezantuan prokurorja Besa Limani, i akuzuari Fejard Llugaliu me mbrojtësin e tij, avokatin Skender Musa, mbrojtësi i të akuzuarit Sadat, avokati Gzim Kollqaku, të dëmtuarit Avdyl Bunjaku dhe Mensur Bunjaku, me përfaqësuesin e tyre, avokatin Tomë Gashi, si dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës Fatmire Bunjaku, avokatja Fortesë Mehmeti.
Pas konstatimit se seanca nuk do të mbahet, jashtë procesverbalit, përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Gashi kërkoi nga gjykatësi që të vendos lidhur me kërkesën e tij për caktimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin Fejard Llugaliu, pasi që sipas tij për rastet e vrasjes së rëndë ku dënimi maksimal është i përjetshëm i akuzuari nuk duhet të mbrohet në liri.
“Unë në kërkesë e kam cekur edhe që i akuzuari Fejard i ka edhe 12 raste të tjera penale”, shtoi avokati Gashi.
Për këtë reagoi avokati Skender Musa, i cili kundërshtoi deklarimet e avokatit Gashi.
E gjatë kohës sa po diskutohej lidhur me kërkesën e avokatit Gashi, pati reagime nga i dëmtuari Mensur Bunjaku.
“Unë nuk ka me ardh kurrë në gjykatë, ma keni vra vllaun ti me gjithë ta. Edhe ata gjykatësit edhe këta, a unë s’ka me ardh kurrë ma”, deklaroi i dëmtuari, i cili më pas u shoqërua nga zyrtarët policor jashtë sallës.
Ai iu drejtua gjykatësit me fjalët “edhe ti koke i shit”, e që lidhur me këto shprehje mbrojtësi i të akuzuarit Fejard, avokati Skënder Musa deklaroi se ky është presion ndaj gjykatës.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, rigjykimi për këtë rast pritet të nis më 8 korrik, nga ora 13:00.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e ka liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.
I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim efektiv, kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër u dënua vëllai i tij, Fejrad Llugaliu, me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj
Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.
Por, me një vendim të tillë nuk ishin pajtuar familja Bunjaku, e cila përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Tomë Gashi, kishin këruar nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarit Sedat Llugaliu, të shqiptohet një dënim maksimal apo i përjetshëm, ndërkaq vëllai i tij, i liruar nga akuza për vrasje, të dënohet.
Me vendimin e shkallës së parë, nuk ishte e kënaqur as Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila përmes ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, kishte kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe mbi vendimin për dënim.
Prokuroria kishte propozuar që ndaj të dënuarit Sedat Llugaliu të shqiptohet një dënim më i ashpër, ndërsa i liruari nga akuza Fejard Llugaliu të dënohet sipas ligjit.
Ndërkaq, pafajësinë për të mbrojturin e tij, e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i dënuarit Sedat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku.
Sipas tij, gjykata e shkallës së parë ka përshkruar provat materiale dhe jo materiale, por të njëjtat nuk i ka arsyetuar në atë masë, që për secilën provë të tregojë se çka kanë vërtetuar.
Ai i kishte propozuar gjykatës, që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, apo çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërkaq i kënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kishte qenë, mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skëndër Musa.
Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar ankesën e prokurorisë.
Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.
Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.
Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.
Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”. /BetimipërDrejtësi
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...