Dy dëshmitarë kanë rrëfyer në Gjykatën e Gjilanit për atë që kishin parë gjatë përleshjes afër një picerie në Viti.
Vëllezërit Xhemajl, Bushat e Kemajl Shaqiri po gjykohen për veprën penale vrasje në tentativë.
I dëmtuar në këtë rast është Selami Ahmeti.
Në seancën e sotme kanë dëshmuar Selami Shema dhe Agron Ahmeti, raporton kallxo.com.
Gjatë dëshmisë, Selami Shema tregoi se me të dëmtuarin Selami Ahmeti kishin dalë të pinë kafe në një nga lokalet e qytetit në Viti.
Ai tregoi se afër picerisë “Kastri”, kur ishte më të dëmtuarin Selami, në një moment i dëmtuari ishte ndalur për të biseduar në telefon dhe kishte mbetur mbrapa diku 4-5 metra.
Në atë moment dëshmitari tha se kishte dëgjuar disa zhurma-piskama, dhe një tollovi ishte krijuar nga shumë nxënës, dhe ka parë duke u rrahur-kacafytur i dëmtuari Selami Ahmeti me tre vëllezërit e akuzuar.
Duke iu përgjigj pyetjeve të mbrojtësve të tre të akuzuarve, avokatëve Enver Halili, Fjolla Ukshini dhe Avdullah Ismaili, dëshmitari tregoi se kishte parë që dy prej të akuzuarve kishin pasur shufra metalike në duar, por nuk ishte i sigurt t’i identifikonte se cili prej tyre kishte shufra në dorë.
Krejt çfarë kishte parë ky dëshmitar është momenti kur gjatë kacafytjes është thyer xhami i picerisë “Kastri”, ku të akuzuarit dhe i dëmtuari kishin hyrë brenda lokalit.
Se ishte thyer xhami i lokalit nga kacafytja mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit Selami Ahmeti e pohoi edhe dëshmitari tjetër, Agron Ahmeti, pronar i picerisë në fjalë.
Megjithëse nuk iu kujtua ndonjë detaj i rëndësishëm nga kjo ditë, dëshmitari tregoi se ka dëgjuar kur ka kërcitur xhami dhe se ai në ato momente ishte diku në lokalin e tij.
Për më tepër ai tha se i nuk i kujtohet se sa persona kishin hyrë brenda në lokal në momentin kur është thyer xhami i picerisë së tij. Ai më tepër tregoi se e kishte çuar të dëmtuarin Selami Ahmeti në Ambulantë, duke treguar se ai kishte pasur të gjakosur dhe të lënduar njërën dorë.
Krejt çka kishte parë ky dëshmitar deklaroi që janë xhamat e thyer dhe gjaku në tokë në atë pjesën e lokalit ku janë thyer xhamat.
Por kur u pyet se cili person ka pasur lëndime ai u përgjigj se nuk e dinte.
Kur u pyet se a kishte parë në dorë të të akuzuarve ndonjë shufër metalike, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet të ketë parë shufra metalike e as thika në atë ditë.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Naser Maliqi se mos je i kërcënuar nga dikush, dëshmitari tha se nuk e ka kërcënuar askush.
Për shkak se në këtë seancë mungoi i dëmtuari në cilësi të dëshmitarit Selami Ahmeti, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Naser Maliqi, kryetar, Islam Thaqi e Sahit Borovci anëtarë, morën vendim të shtyhet seanca e sotme për më 18 shkurt 2019.
Sipas aktakuzës, të përfaqësuar nga prokurori Isuf Sadiku, të pandehurit Xhemajl, Bushat dhe Kemajl Shaqiri akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë më datë 11 janar 2011.
Pas një mosmarrëveshje të mëhershme me Selim Ahmetin nga fshati Lubishtë, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të njëjtin, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Xhemajl e godet me thikë në kokë, përkatësisht prapa veshit, duke i shkaktuar një plagë prerëse rreth 10 cm, ndërkaq i pandehuri Bushat e godet me një shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupit e që edhe i pandehuri Kemajl gjatë asaj rrëmuje e godet me shufër metalike me ç’rast i shkaktojnë lëndime të rënda trupore për çka edhe si rast urgjent i dëmtuari dërgohet në Qendrën Spitalore në Gjilan, dhe pastaj pas punës operative të Policisë në Gjilan, të njëjtit arrestohen.
Në këtë përshkrim të aktakuzës akuzohet edhe Selim Ahmeti për lëndim të lehtë trupor sepse kishte goditur në kokë me një shishe qelqi Bushat Shaqirin nga Vitia.