Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për media, ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës, ndërsa tha se seanca e radhës në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është planifikuar të mbahet më 4 dhjetor 2023.
Zëdhënësi Doyle njoftoi se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, gjatë kësaj jave janë dëgjuar tre dëshmitarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Dëshmitari i 35-të i thirrur nga Prokuroria, i cili pretendohet se ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga anëtarë të UÇK-së, dha dëshmi të enjten e kaluar dhe këtë të hënë, më 9 dhe 13 nëntor. Të hënën, 13 nëntor, z. Sadik Halitjaha, dëshmitari i 36-të, filloi dhënien e dëshmisë. Sipas përmbledhjes së lexuar në sallën e gjyqit nga Prokuroria, ky dëshmitar ishte epror në UÇK, i cili kishte pozita të ndryshme gjatë periudhës përkatëse. Këtë javë, të martën dhe të mërkurën, z. Shefqet Kabashi, dëshmitari i 37-të i thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore dha dëshmi nëpërmjet video-lidhjes. Pas përfundimit të dëshmisë së z. Kabashi, z. Halitjaha, dëshmitari i 36-të, vazhdoi dje dhe sot dhënien e dëshmisë që e kishte filluar më parë”, tha zëdhënësi Doyle.
Lidhur me këtë proces, Doyle tha se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 15 nëntor, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Po ashtu, gjatë kësaj konference u tha se më 9 nëntor, trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e ZPS për të pranuar në prova transkriptet e intervistave dhe deklarata të mëparshme të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe pranoi në prova, ndër të tjera, disa intervista të Prokurorisë me Thaçin dhe Selimin, si dhe disa deklarata dhe dëshmi nga të katër të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore.
Në çështjen gjyqësore kundër Isni Kilajt, zëdhënësi Doyle tha se versioni publik i redaktuar i vendimit të gjykatësit të vetëm gjykues, të datës 9 nëntor, tani është i disponueshëm në faqen e internetit të DhSK-së.
“Gjykatësi i vetëm konstatoi se ekziston dyshim i bazuar se pjesë të materialeve të sekuestruara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ose synohej të përdoreshin, ose ishin përdorur në fakt për të ndërhyrë në administrimin e drejtësisë, dhe se z. Kilaj mund të jetë përfshirë në kryerjen e një vepre penale në kuadër të juridiksionit të DhSK-së”, deklaroi Doyle.
Ai shtoi se këtë javë u bënë publike një numër parashtrimesh lidhur me arrestimin dhe transferimin e Kilajt, ndër to, raporti i ZPS për arrestimin dhe transferimin e Kilajt dhe raporti i administratores për transferimin e tij në objektin e paraburgimit të DhSK-së.
Në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, në këtë konferencë u njoftua se trupi gjykues miratoi më 13 nëntor kërkesën e Prokurorisë dhe të mbrojtjes për të pranuar në prova dokumente të përdorura gjatë dëshmisë së katër dëshmitarëve në sallë të gjyqit.
“Seancat në çështjen gjyqësore në rastin Shala rifillojnë të hënën e ardhshme, 20 nëntor, dhe ato janë planifikuar të mbahen nga e hëna në të premte gjatë dy javëve të ardhshme”, tha Doyle.
Ndërsa, në çështjen gjyqësore kundër Januzit dhe Bahtijarit, u tha se më 8 nëntor dolën versionet publike të redaktuara të raportit të administratores drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake për arrestimin dhe transferimin e tyre.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...