Gjykimi në mungesë i kriminelëve të luftës i vonuar, por shpresëdhënës për familjarët e viktimave

09:01 | 25 Prill 2021
A. B.

Tentativat në të kaluarën për plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale duket se kanë dështuar sa herë që është ndërmarr ndonjë hap në këtë drejtim.

Në lidhje me këtë kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini,  plotësim ndryshimin e ka quajtur si të vonuar por edhe një hap të rëndësishëm për zbardhjen e fatit të pagjeturve.

“Çdo gjë që bëhet me ligj dhe çdo gjë që bëhet në tentim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve edhe ata të cilët nuk po munden me u afru me i ul në tavolinë e me i gjyku, por edhe ata  që janë jo prezent që e shfrytëzojnë ligjin ashtu siç duhet besoj që kish mujt sado pak me zbardh fatin e të pagjeturve. Ka mujt shumë ma herët me ba, por jemi popull që për veti gjithmonë vonohemi, edhe kombi shqiptar më së paku për vete punon. Në qoftë se nuk kanë marr dëshmi të mjaftueshme për 21 vjet atëherë shqiptarëve u duhet edhe 210 vjet për të marr informata për gjenocidin që e dinë çdo kush e dinë edhe krejt bota, jemi përcjell nga toka e qielli ka shënime që këto kanë ndodhur. Por megjithat është një proces i vonuar që ishte dashtë me ndodh shumë më herët”, deklaroi Çerkini.

Të hënën, pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091.

E Komisioni për Legjislacion ditë më parë ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për të qenë e hapur mundësia e gjykimit në mungesë të personave të cilët kanë kryer krime të luftës.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, tha se në të kaluarën ka ndodhur ky ndryshim por që nuk është zbatuar si shkak i disa pengesave të identifikuara nga Prokuroria Speciale.

“ Pa dyshim që adresimi i krimeve të luftës në Kosovë të kryera nga shteti serb nuk është bërë asnjëherë në mënyrën adekuate. Përkundër që në legjislaturat e kaluara është plotësuar Kodi i Procedurës Penale me mundësinë e gjykimit në mungesë, por edhe ky plotësim ka hasur në vështirësi për tu zbatuar e që realisht nuk është zbatuar asnjëherë për shkak të disa pengesave që janë indentifikuar nga Prokuroria Speciale. Pengesat e indentifikuara ne i kemi trajtu  në Komisionin për legjislacion pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe e kemi miratuar në parim duke ia propozuar Kuvendit për ta shqyrtuar dhe miratuar përfundimisht projektligjin në fjalë”, tha Rrustemi.

Sipas tij, ky plotësim ndryshim ndihmon Prokurorinë Speciale për fillimin e hetimeve për të gjitha ata kriminel të cilët nuk po i dorëzohen shtetit të Kosovës, dhe se ata strehohen qëllimisht nga Serbia.

“Duhet ta kemi parasysh që kanë kaluar 21 vite pas luftës e gjithnjë e më e vështirë po bëhet trajtimi i krimeve të luftës por megjithatë ne siç e kemi thënë e kemi prioritet adresimin e krimeve, sikur që e kemi edhe padinë ndaj shtetit të serb për gjenocid, prandaj konsideroj që këto ndryshime e hapin rrugën që Prokuroria Speciale të vazhdoj hetimet”, theksoi Rrustemi.

Rrustemi një gjë të tillë e sheh si të vonuar si shkak i mos evidentimit të saktë të dëshmitareve të cilët mund të jenë edhe të vdekur, por që prokuroria duhet të punojë në zbardhjen e këtyre rasteve.

“Unë mendoj se faktet në Kosovë ekzistojnë sepse kemi natyrisht përjetim të freskët të luftës së fundit dhe krimeve të bëra nga forcat ushtarake policore serbe megjithatë fakti se kanë kaluar mbi 20 vite, e konsideroj që kjo çështje është vonuar, sepse dëshmitarët shumë prej tyre mbase edhe kanë ndrru jetë për shkak të periudhës së gjatë, provat mund të jenë le të themi të dëmtuara e kështu më radh. Por, megjithatë ka prova edhe fakte të mjaftueshme por që i mbetet prokurorisë për të mbledh ato prova dhe për t’i faktuar dhe gjykatave për të shqiptuar dënime. Krimet e shteti serb në Kosovë në periudhën 98-99 kanë qenë çnjerëzore, gjenocidale, dhe se drejtësia nuk është vënë asnjëherë pasi që shteti serb nuk ka dhënë përgjegjësi për këto krime. Andaj shpresoj që prokuroria të bëjë punën e saj të bëjë dokumentimin, faktimin edhe kallëzime penale ndaj personave që veç kanë kryer këto krime, kurse gjykatat të japin dënimet e merituara”, deklaroi Rrustemi për arbresh.info.

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të rikthehet tek iniciativa e më hershme për sjelljen e një Kodi të ri të Procedurës Penale.

“Unë jam që të bëhen ndryshime të tërësishme jo pjesë, pjesë. Por, megjithatë ky plotësim ndryshim e ka marr përkrahjen e të gjithë anëtarëve të komisionit”, tha Beqa.

Tutje Beqa shtoi se është dashtë të bëhet më herët dhe se ka pasë përpjekje edhe pas shpalljes së pavarësisë për një iniciativë të tillë.

“Por, unë mendoj që tash është momenti më i duhur për një veprim të tillë, ky plotësim ndryshim mendoj që është adekuat”, deklaroi Beqa.

Ndryshe ky plotësim ndryshim i Kodit Penal parasheh që të dënohen të gjithë ata persona të cilët kanë kryer krime lufte në Kosovës e që mund të zhvillohen gjykime pa pranin e tyre.

Sot kur jemi 21 vite pas luftës së fundit në Kosovës, 1600 persona figurojnë të zhdukur, dhe akoma është duke u punuar në zbardhjen e fatit të tyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme