(Përditësuar, ora 12:30)- Në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po dëgjohet kundër-dëshmia e një dëshmitari të prokurorisë, por se sipas vendimit të trupit gjykues të kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, e njëjta do të bëhet tërësisht në seancë private.
“Mbështetur në informacionin që ju dha trupit gjykues nga zyra për mbrojtje të dëshmitarëve dhe pasi vlerësuam se është në interes të drejtësisë të garantojmë që dëshmitari ta japë dëshminë në mënyrë të lirë, trupi gjykues aprovon kërkesën e ZPS-së për të marrë dëshminë e dëshmitarit tërësisht në seancë private”, ka thënë ajo, pasi tha se edhe me rregullore është e paraparë mbajtja e seancave të mbyllura.
Ndryshe, sesioni i parë i këtij gjykimi nuk është transmetuar për publikun, kjo për arsye teknike. Ndërkaq, pas kthimit nga një pauzë, u bë i ditur vendimi i trupit gjykues.
Paraprakisht, sa i përket problemit teknik, gjykata ka bërë një njoftim, ku thuhej “Ju informojmë se kemi disa probleme teknike që kanë të bëjnë me transmetimin me vonesë, për shkak të të cilave transmetimi i drejtpërdrejt në internet nuk është i disponueshëm për momentin. Jemi duke u përpjekur që ta zgjidhim problemin sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kurse, më pas kanë lëshuar një njoftim tjetër, ku thuhej “Transmetimi i drejtpërdrejtë është duke funksionuar përsëri. Ju informojmë se, për shkak të vështirësive të mëhershme teknike, një pjesë e shkurtë e seancës dëgjimore nuk ishte e disponueshme në transmetimin e gjykimit ndaj Mustafës. Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta vënë në dispozicion të mediave dhe të publikut, sa më shpejt të jetë e mundur, regjistrimin e plotë publik duke përfshirë pjesën e cila nuk ishte e disponueshme gjatë transmetimit”.
Në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën pritet të dëgjohet kundër-dëshmia e një dëshmitari të prokurorisë.
Këtë kërkesë të prokurorisë, e kishte miratuar trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia.
Ndryshe, në këtë rast, edhe ZPS edhe mbrojtja kishin përfunduar paraqitjen e çështjeve të tyre.
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...