Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi, në seancën e së mërkurës, në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka rrëfyer për qendrën stërvitore në Zllash.
Ai duke u përgjigjur në pyetje të avokatit mbrojtës, Julius Von Bone, ka deklaruar se i kujtohet data kur në mars kanë filluar bombardimet e NATO-s, në vitin 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në atë kohë, ai tha se ka qenë në Zllash, në qendrën stërvitore, në shkollë.
Para se të shkonte në Zllash, ai tha se nga viti 1993 deri më 1998 ka qenë në Gjermani, ku nga aty ka shkuar në Shqipëri, e nga Shqipëria ka shkuar në këmbë deri në Zllash.
“Qendra stërvitore ka qenë në fshatin Zllash, aty ka qenë një shkollë fillore, nga klasa e parë në klasën e katërt, ajo është shfrytëzu për qendër stërvitore”, tha dëshmitari Halimi.
Atij iu prezantua një fotografi, për të cilën tha se është shkolla e Zllashit. Ndërkaq, për një fotografi tjetër, komenti i tij ishte “e shkatërrume”, kurse tutje tha se kjo mendon që është shkolla e Zllashit.
Dëshmitari konfirmoi se në këtë ndërtesë ndodhej qendra stërvitore në Zllash, për të cilën po fliste më herët.
“Kjo i ka pas katër klasë, një dhomë, zyrë e vogël ku kam qëndru aty dhe afër saj një objekt ku është përgatit ushqimi për ushtarë, kuzhina”, tha Halimi.
Sipas dëshmitarit Halimi, hyrja në ndërtesë është në anën tjetër, nga fotografia që u prezantua.
Dëshmitari tha se zyra ku ka qenë ai, më herët ka qenë për mësuesit që kanë punuar në këtë shkollë, të cilën më pas, ai e ka shfrytëzuar.
“Dy klasë kanë qenë hapësira për ushtrim të kadetëve, aty e kanë bërë gjumin. Dy klasë tjera janë përdor për mësim, njëra për mësim, tjetra kuzhinë për ushqim sepse kadetë aty janë ushqy, edhe mëngjesin, edhe drekën, edhe darkën”, tha dëshmitari.
Ai shtoi se ka qenë komandant i kësaj qendre stërvitore, që ka qenë vartëse e Brigadës 153, ku bëri të ditur se edhe ai ka qenë vartës i kësaj Brigade.
Kur shkoi në Zllash, ai tha se epror e kishte Fatmir Sopin. Kurse, tha se ka pasur edhe eprorë të tjerë, të cilët ishin Rrahman Dini, Sejdi Veseli, e të tjerë. Shef i Shtabit të Brigadës 153, ai tha se sa e di ka qenë Rrahman Dini.
Lidhur me Sejdi Veselin, dëshmitari tha se marrëdhënie të veçantë nuk ka pasur, por bashkëpunim për përpilimin e planit, sikurse me Fatmir Sopin e Rrahman Dinin.
Shtabi i Brigadës, tha se ka qenë më poshtë se qendra stërvitore, në një objekt privat, shtëpi private, ku kanë qëndruar të njëjtit.
Ndërkaq, ai tha se Fatmir Sopi nuk ka fjetur në qendrën stërvitore dhe nuk ka njohuri se ku ka fjetur i njëjti, për të cilin tha se ai është i Zllashit.
Tutje, ai shtoi se të gjithë rekrutët në qendrën stërvitore kanë qenë të asaj treve, të Gollakut dhe çdo lagje apo fshat ka pasur nga një aktivist, përgjegjës që ka mbledhur njerëzit, i ka përzgjedhur dhe e ka dërguar listën në Brigadën 153, që ka bërë vlerësimin, përpiluar listën dhe e ka sjellë të gatshme në qendrën stërvitore.
Ai tha se kur vinte një gjeneratë e re e rekrutëve, rreshtoheshin dhe me listë thirreshin me emër, ku u tregonin rregullat dhe pyeteshin nëse dikush nuk pajtohet me to apo ka probleme shëndetësore të dalë një hap përpara dhe të lirohet.
“Nuk ka pas të tillë. Në momentin që u pranu ajo, janë fut në sallë, në shkollë dhe jemi marrë me aktivitete sipas planit. Kjo ka qenë”, tha ai.
Dëshmitari Halimi tha se ka qenë obligative çdo mëngjes të ngritet flamuri kombëtar dhe në mbrëmje të zbritej. Ndërkaq, tha se në këtë rast është dashur të jenë të pranishëm ushtarët të gjithë.
“Në mëngjes është dashtë të bëhet zgjimi, ka qenë higjiena personale 10 minuta, është dashtë të bëhet fiskulltura e mëngjesit, të kthehen në shkollë, të rregullojnë krevetat, higjienën personale, të përgatiten në rresht për ngritjen e flamurit. Para se të ngritet flamuri është bërë inspektim a është i qethur e tjerë, nëse jo ka marrë dënim. Nëse po, është ngrit flamuri, jemi marrë me aktivitete ditore, në mbrëmje zbritja e flamurit, pushim e qito”, tha ai.
Dëshmitari Halimi theksoio se gjenerata e parë ka qenë diku 50 persona, ndërsa të tjerat 100 deri në 150 persona. Gjenerata e parë tha se ka filluar stërvitjen më 1 shkurt dhe ka përfunduar më 15 shkurt.
Kurse, tha se gjenerata e fundit ka filluar më 1 prill, ku tha se nuk ka qenë prezent për gjithë gjeneratën dhe e ka lënë në gjysmë këtë.
Ndërsa, tha se sa i kujtohet më 7 prill, ka filluar lufta në Prapashticë, ku është edhe kufiri Kosovë- Serbi dhe ka shkuar atje, është përcaktuar si komandant i batalionit në atë pjesë, nga Brigada 153.
Ndërkaq, tha se nga 7 prill deri më 10 prill ka shkuar prapë në mbrëmje në Zllash, në qendër stërvitor dhe se nga data 10 nuk është kthyer në qendrën stërvitore dhe ka qëndruar në luftë në Prapashticë dhe disa fshatra tjera.
“Dua të jem i qartë për ca çështje, e kuptoj që me datën 7 shkuat në Prapashticë, a u kthyet atë mbrëmje në Zllash për të fjetur aty”, pyeti avokati Julius Von Bone.
“Nuk ka qenë qëllimi me ardhë me fjet unë në Zllash. U mundova me sqaru më herët, forcat serbe në disa vende, kanë hyrë brenda dite dhe janë dalë brenda dite. Nuk kanë qëndru aty, nuk janë pozicionu”, tha tutje Halimi.
Tutje, ai bëri të ditur se më datë 8 shkoi sërish në Prapashticë dhe u kthye në Zllash, sikurse bëri më 9 prill, ndërkaq më 10 prill bëri të ditur se shkoi atje, por nuk u kthye më në Zllash.
Ai deklaroi se nuk ka qenë trajneri i vetëm që kishte qendra stërvitore e se ka pasur edhe të tjerë, sikurse Behxhet Vitia, një koleg Triumfi, një koleg “mësuesi”, e të tjerë.
Dëshmitari tha se i trajnonte në aspektin fizik, por se është marrë edhe me trajnime taktiko-ushtarake, ndërkaq kolegët e tij Triumfi dhe “mësuesi” janë marrë me mësimin e armatimit.
Halimi ka thënë se në qendrën stërvitore asnjë nga Brigada 153 nuk ka pasur zyrë, përveç dëshmitarit.
Ai mohoi se ka pasur ndonjë vajzë mes rekrutëve.
Dëshmitari ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë shance që të futet ndonjë rekrut jashtë liste, pasi ka qenë rregull që lista të merret nga aktivistët e fshatrave, të sillet në Brigadë, të shqyrtohet, të arrijë lista e kompletuar, ku është dashur të zbatohet ajo listë.
“Por, edhe nuk kena pas kërkesa të tilla që në mes të gjeneratës të futet ndonjë rekrut”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka qenë e mundshme që dikush të shkojë, të kërkojë, të kyçet dhe të mundësohet kjo.
Tutje, ai tha se ai që ka dashur të kyçet është dashur të lajmërohet në Brigadë dhe jo në qendër stërvitore.
“Çdo 24 orë është zgjedh komandanti i rojës dhe janë përcaktu ushtarët që do të bëjnë roje. Udhëheqësi i rojës ka pas edhe zëvendësin e vet, njëri deri në 12, tjetri nga 12 deri në mëngjes. Detyra ka qenë që të zgjojnë ushtarin të bëjë roje, pjesën tjetër ta futin në dhomën e gjumit. Komandanti i rojës është dashur që t’i raportojë oficerit kujdestar për gjendjen si ka qenë gjatë natës”, tha tutje ai.
Driloni acarohet me Fitimin për shkak të Sarës, i bën një pa...
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...
Slot ka dhënë një mesazh të fortë për futbollistët e tij në ...
Mbappe: Askush në Real Madrid nuk do të pendohet kurrë për n...
“Dorëzoni armët, ose do groposeni me to”, Erdogan paralajmër...