Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

08:02 | 3 Maj 2023
K.B

Këtë të mërkure në Dhomat e Specializuara në Hagë nga ora 09:30 pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Dje, në procesin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, dëshminë e dha dëshmitari i 11-të, ku ndër të tjera u pyet edhe në rast se kishte persona të tjerë në vendin ku pretendohej se ishte mbajtur.

E, dëshmitari i 11-të tha se ishin diku shtatë ose tetë persona tjerë, teksa shtoi duhej të kërkonin lejë nga roja për të shkuar në tualet e për të marrë ujë.

“Po duhej të kërkonim leje nga roja për të shkuar në tualet dhe për të marrë ujë… Më tepër i kanë rrahur me shufra gome, mua personalisht vetëm një herë më kanë rrahur… I kthenin me kokë për muri dhe s’mund të shihnin se kush është duke i rrahur”, tha dëshmitari i mbrojtur”.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme