Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë, dëshmitari tha se janë rrahur në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës

17:50 | 2 Maj 2023
E.H

Duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 11), ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.

“Na kanë detyru shoqi-shoqit me i ra shuplakë sa të mujsh, sa ma shumë n’mujsh me i ra”, tha ai.

Lidhur me atë se kush i ka detyruar për këtë, ai tha se “erdhën nja dy persona edhe një civil aty dhe na urdhërun me i ra shoqi-shoqit”.

Paraprakisht, dëshmitari dha sqarime lidhur me incidentet që i kishin ndodhur atij, njëherë që ishte rrahur me shufër gome në pjesën e kraharorit, që e përshkroi se kishte pasur shumë dhimbje të madhe dhe herën e dytë pas disa ditësh që i kishin mavijosur syrin me grusht.

“Ishte mëngjes, ora nuk e di përafërsisht 9 a 10, hynë tre persona dhe ma ulën kryet që mos me mujt me pa dhe nuk e di qysh veç kur e kom pa që syni m’u mshel, më ranë me grusht, fort më ranë me grusht, qashtu që m’u mshel syni ma nuk di gja, s’kom pa gjo’’, tha tutje ai.

Dëshmitari tha se syri iu ishte nxirë dhe kishe pasur pak gjakderdhje dhe dhimbje të mëdha, duke thënë se edhe sot e asaj dite syri i loton shumë shpesh.

Kurse, i pyetur nëse atë ditë i kishin thënë diçka, ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra, duke thënë ‘‘shpiuna, tradhtarë’’, që sipas dëshmitarit ishte për personat në atë dhomë.

Seanca ndaj Pjetër Shalës, do të vazhdojë edhe nesër me dëgjimin e të njëjtit dëshmitar, ku ende do të vazhdojë të pyetet nga ana e Prokurorisë./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme