Google ADS

Gjykatësi francez, Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

15:14 | 9 Nëntor 2020
arbresh.info

Gjykatësi francez, Nikola Giju, po drejton seancën gjyqësore në paraqitjen e parë të Hashim Thaçit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Giju ka konfirmuar edhe aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Giju është i vetmi gjykatës deri më tani që ka udhëhequr seancat gjyqësore fillestare të akuzuarve të deritanishëm pranë Gjykatës Speciale, shkruan arbresh.info.

Në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë janë të emëruar 22 gjykatës.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu.

Gjykatësi Nikola Giju (Francë) ka qenë që nga viti 2015, shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin. Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Giju shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Giju punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

Gjykatësi Giju është magjistruar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane nga Universiteti i Sorbonës (Francë)./arbresh.info/

EKSKLUZIVE| Ish-Presidenti Thaçi pritet të mbrohet në liri, gjykim përmes video telekonferencës

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme