Google ADS

Gjykatësi dhe Prokurori në Gjakovë hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

19:15 | 13 Prill 2019
Arbresh.info

Prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Gjakovës, Agron Matjani dhe gjykatësi në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë, Shaqir Zika, janë duke u hetuar për veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka lëshuar një urdhëresë për Odën e Noterëve, lidhur me grumbullimin e informacioneve kundër prokurorit dhe gjykatësit, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer vepra penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Në një dokument të cilin e ka siguruar Indeksonline, urdhërohet që kundër të pandehurve Agron Matjani dhe Shqir Zika, për shkak të veprës penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, Oda e Noterëve të zbuloj informatat nga aktet noteriale të noterëve në tërë territorin e Kosovës.

Kjo për të kuptuar nëse nëpër zyre noteriale janë kryer shërbime për çështje familjare, pronësore, ekonomike dhe të punës, vërtetimet, legalizimet dhe certifikata të tjera.

Se prokurori Matjani dhe gjykatësi Zika janë duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës e kanë konfirmuar nga Prokuroria Speciale për Indeksonline.

“Prokurori dhe Gjyqtari janë në hetime për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë pa dhënë detaje më shumë lidhur me rastin.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Gjakovë ku kryen punën Shaqir Zika në Departamentin e Krimeve të Rënda thonë se nuk kanë informacione lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës.

Të pyetur nëse ai ende ushtron pozitën e tij në këtë departament, ata kanë njoftuar se po.

“Gjykata Themelore Gjakovë, ju informon se nuk kemi asnjë informacion lidhur me pretendimet e juaja  lidhur me Gjyqtarin në fjalë dhe i njëjti ushtron detyrën e tij  në Gjykatë”, thuhet në përgjigjën e Gjykatës Themelore.

Pavarësisht tentimeve të Indeksonline për të marrë një përgjigje nga Policia, ata nuk kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar.

Indeksonline ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ana e prokurorit Agron Matjani, mirëpo, i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Ndryshe, Prokurori Agron Matjani është hetuar edhe për një tjetër vepër penale, përkatësisht për kërcenim të bashkëshortes së vëllait.

Për këtë shkak ai edhe me 28 janar të këtij viti është suspenduar nga detyra prej Komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial.

 

Të ngjashme