Rasti i kreut të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune është rikthyer në duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.
Por, kësaj here për të caktuar se cila nga Gjykatat Themelore do ta marrë rastin Muja në rigjykim. Krejt kjo pasi asnjë nga 7 gjykatat themelore të Kosovës nuk kanë shprehur gatishmëri ta marrin këtë rast.
Për këtë arsye, Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur që të bëj një kërkesë në Gjykatën e Apelit, që e njëjta të caktojë se cila gjykatë të marr procesin gjyqësor ndaj Mujës dhe pesë ish- zyrtarëve të tjerë të komunës së Prizrenit.
Zyrtarë të Gjykatës Themelore të Prizrenit, i kanë thënë “Arbresh.info” se kërkesa i është dërguar Apelit muajin e kaluar.
“Më datën 08.08.2017 Gjykata Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për delegimin e kompetencës territoriale në lëndën PKR.nr. 72/17 në ndonjë gjykatë tjetër të Republikës së Kosovës, në gjykatën e Apelit”, është shprehur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.
Ndërkohë, janë bërë më shumë se dy muaj që kur Gjykata e Apelit vendosi të kthejë në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Asnjë nga 6 gjykatat themelore të Kosovës nuk i janë përgjigjur kërkesës së Gjykatës Themelore të Prizrenit, e cila që nga momenti i marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit u është drejtuar këtyre gjykatave me kërkesë për marrjen e kësaj lënde.
Ndryshe, në mars të vitit 2014, Gjykata Themelore në Prizren pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.
Ndërsa, Gjykata e Apelit pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit kishte arritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit në shtator të vitit 2015.
Në këtë aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit P.nr.171/13 i lëshuar më 13 mars 2014 dhe lënda ishte kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.
Mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.
Vendimi i Supremes kishte ardhur pas pranimit të ankesës së prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit në shtatorin e po të njëjtit vit, që rasti ndaj kreut të Prizrenit, Ramadan Muja të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.
Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues./Arbresh.info/ Gita Lushi
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...