Gjykata vendos për kthimin në punë të ish-punëtorëve të ‘Eco Higjiena’

22:01 | 9 Dhjetor 2018
Arbresh.info
13 ish- punëtorë të ndërmarrjes gjysmë- publike për pastrim në Gjilan ‘Eco Higjiena’, kanë fituar gjyqin ndaj kësaj ndërmarrje lidhur me largimin e tyre nga puna.

Këta punëtorë kishin bërë padi ndaj kësaj ndërmarrje, në shtator të vitit 2017 pasi ishin larguar nga puna.

Kallx.com ka siguruar aktgjykimin nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ku thuhet se paditësit kishin themeluar marrëdhënie punë për kohë të pacaktuar në këtë ndërmarrje.

‘Eco Higjiena’, kishte funksionuar si ndërmarrje shoqërore komunale e quajtur ‘KRM Higjiena’, para se ajo të shndërrohet në ndërmarrje të përbashkët aksionare në vitin 2012.

Pra, Kuvendi Komunal i Gjilanit më 29 mars të vitit 2012 kishte marrë vendim për themelimin e ‘Eco Higjienës’, në bazë të partneriteti publiko-privat.

Sipas aktgjykimit, në marrëveshjen për themelimin e shndërrimin e kësaj ndërmarrje në publiko-private ishte paraparë që “Të punësuarit aktualë janë detyrim i investitorit, ti mbajë në punë në pajtim me ligjin dhe rregullave të punës, duke e pas parasysh mundësinë e ristrukturimit dhe risistematizimit të tyre”.

Në përgjigjen ndaj kësaj padie, përfaqësuesi ligjor i ‘Eco Higjienës’ e kishte njoftuar gjykatën se ‘ i ka njoftuar paditësit me shkrim për ndërprerjen dhe mos vazhdimin e kontratave të punës ndërsa paditësit, padinë e kanë ushtruar pas afatit ligjor me çka konsiderojmë se një kërkesë e tillë është vjetërsuar”

Përveç kësaj, sipas kësaj ndërmarrjeje ‘paditësit nuk i kanë përfillur urdhrat e eprorëve të tyre dhe kanë marrë pjesë në greva ilegale.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, të dy palët në këtë kontest, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme