Gjykata Themelore lëshohet urdhërarrest për Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e Ivanoviqit

16:27 | 9 Korrik 2024
E.H

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se me datë 28.06.2024, gjykata ka shpallur aktgjykimin në këtë çështje penale, ku të akuzuarin M.R e ka dënuar me 10 vite burgim. I akuzuari M.R është njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes së aktgjykimit. I njëjti nuk ka qenë prezent në shpallje të aktgjykimit, pasi që nuk është obligative pjesëmarrja në shpalljen e aktgjykimit. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka mundur ta arrestoj, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit edhe përpos faktit se ka qenë i njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes”, ka deklaruar Gashi.

Ajo ka shtuar se me aktgjykimin e shpallur, gjykata i ka caktuar të akuzuarit M.R edhe masën e paraburgimit, ku po me datë 28.06.2024, ka marrë aktvendim të posaçëm me të cilin të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit.

“Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata përmes e-mail ia ka dorëzuar: Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit M.R (përmes postës). Të gjithë këta të apostrofuar kanë konfirmuar pranimin e vendimit, përpos për të akuzuarin M.R, nuk kemi ende konfirmim nga posta, nëse e ka pranuar vendimin apo jo. Gjykata pas informimit nga Policia Kosovës, se nuk kanë mundur ta ekzekutojnë vendimin e gjykatës, menjëherë ka lëshuar Urdhër-arrest, për sigurimin e prezencës së të akuzuarit dhe dërgimin e të njëjtit në paraburgim. Tani rasti është me Urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë”, ka thënë Gashi.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. /Arbresh.info

Lexo edhe:

Është arratisur njëri nga të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Të ngjashme