Gjykata Supreme liron nga akuza Naser Pajazitajn, i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

12:58 | 6 Prill 2023
Emir Abduramani

Gjykata Supreme ka nxjerrë aktvendim për lirimin e Naser Pajazitaj, nga aktakuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të vitit 2015.

Këtë e ka konfirmuar për Arbresh.info zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, konfirmoi ajo.

Trupi gjykues që ka vendosur për këtë rast ka qenë i përbërë ng:a Agim Maliqi, Valdete Daka dhe Rasim Rasimi.

Ndryshe, më 18 nëntor të vitit 2022, nga Gjykata e Apelit Naser Pajazitajt i është ulur dënimi në 35 vjet burg, nga burgimi i përjetshëm sa ishte vendosur më 27 maj të vitit 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kaloni pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit “Jeep Cheroke” me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e vret me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Arbresh.info

Të ngjashme