Google ADS

Gjykata Speciale vendos 207 mijë euro dëmshpërblim viktimave në rastin e Salih Mustafës

12:57 | 6 Prill 2023
K.B

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK), të enjten, është mbajtur seanca për caktimin e urdhrit për zhdëmtim të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ku ky i fundit u urdhërua të paguajë 207 mijë euro.

Sipas gjykatës, duke pasur parasysh shkallën dhe pasojat e dëmit, u vendos që Mustafa të paguajë 207 mijë euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nga kjo shumë, 30 mijë euro për viktimën 8, 80 mijë euro për viktimën 9, 60 mijë euro për viktimën 10, kurse për viktimat 5-6 dhe 12 shumën nga 10 mijë euro, kurse për viktimën 11 shumën prej 5 mijë dhe shumën prej 2 mijë euro për viktimën 13.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme