Arbresh.info: A ka filluar Gjykata Speciale punën me vonesë?
Avni Puka: Në qoftëse ka një term ‘sui generis’ që më së shumti i përshtatet kësaj Gjykate , është arsyeja, mënyra se si është themeluar e gjëra të tjera. Ka një afat të konsiderueshëm por edhe më e rëndësishme është se si ka filluar, e aq më tepër për neve është me rëndësi se si do të vazhdoj punën, mbi çfarë standarde do të vazhdoj kjo gjykatë.
Arbresh.info: Në bazë të ftesave të para, sipas jush si do të jetë dinamika e kësaj Gjykate në vitin 2019?
Avni Puka: Shumë probleme apo sfida që pritet të jenë për 2019, apo në vazhdim për punën e kësaj Gjykate, burojnë nga ligji që është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ka munguar edhe ana profesionale në hartimin e atyre dispozitave. Nisur nga ftesat e para që ka filluar kjo Gjykatë, na bënë pak skeptik sepse është jashtë çdo standardi që e kemi njohur në Tribunalet Ndërkombëtare, apo Gjykatat e brendshme. Thirrjet përmes telefonit nuk përcaktohen as në ligj, as në rregulloren që vetë kjo Gjykatë e ka miratuar. Kjo në rend të parë krijon një pasiguri juridike për qytetarët, sidomos për ata që potencialisht mund të thirren nga kjo Gjykatë. Nuk janë informuar se në çfarë cilësie janë ftuar, si dëshmitar apo si të dyshuar, dhe kjo shkelë një të drejtë themelore, që është e drejta për t’u informuar. Një të drejt të garantuar me Kushtetutë, që e ka obligim që ta respektoj kjo Gjykatë Speciale, e përcaktuar me ligjin special për Gjykatën Speciale, me rregulloren për procedurat përcaktohet qartësisht, se e drejta për informim duhet të garantohet dhe përcaktohet përmes thirrjeve të një procedure tjetër nga kjo që është duke u bërë. Nisur nga kjo na bënë skeptik se sa do të respektohen të drejtat e personave, që do të jenë të përfshirë sidomos në cilësi të personave të dyshuar, dhe të akuzuar pranë kësaj Gjykate. Si sifdë shohim sa do të respektohet parimi që dikush të mos gjykohet, dy herë për të njëjtat fakte, kjo përcaktohet me ligj. Por duke u bazuar në kompetencat që ka ligji, në kuptim të administrimit të provave, trajtimit të rasteve na bënë të dyshojmë, se cili do të jetë interpretimi i fakteve të reja, edhe në lidhje me ato çështje penale, që janë diskutuar më herët. Sfidë tjetër është edhe sigurimi i provave, vlerësimi. Me ligj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, është përcaktuar një panel që të vlerësoj relevancën e provave. Problemi këtu qëndron tek provat, që janë mbledhur para se të themelohet kjo Gjykatë. Aspekt edhe më problematik e shoh dispozitën që krijon mundësi që prova mund të paraqesin edhe shtete tjera, siç është Serbia. Ajo ka interes të paraqes prova kundër personave që potencialisht mund të gjykohen nga kjo Gjykatë.
Arbresh.info: Sfidat që po theksohen se po dalin prej ligjit, sipas jush a kanë qenë në dijeni të plotë deputetët për ta miratuar këtë ligj.
Avni Puka: Problemin e shoh nga sponzorizimi i ligjit. Si i janë përgjigjur institucionet e drejtësisë, duke u nisur nga Ministria e Drejtësisë ndaj pretendimeve të raportit të Dick Martyt. Cili ka qenë propozimi jonë, sepse është ligj që ne e kemi propozuar. Nuk mohohet presioni i ndërkombëtarëve, por pretendimet e kësaj natyre duhet të adresohen. Ne duhet ta shohim nga interesat e qytetarëve të Kosovës. Këtu pretendimet janë për veprat që janë kryer nga ish pjesëtarëve të UÇK-së. Po diskutohet për një vlerë të vetme që e ka pasur shteti i Kosovës. Prandaj përgjigja e institucioneve të Kosovës është dashur të jetë më serioze. Me këto detaje nuk pres që t’i kenë njohur deputetët që e kanë votuar. Por këtë detyrim e ka pasur shteti.
Arbresh.info: A kanë dëshmitarët të drejt të mos u përgjigjen thirrjeve për mënyrën se si janë bërë nga Gjykata Speciale?
Avni Puka: Nëse njoftimi është bërë jashtë standardit që është në ligj dhe rregulloren që vetë kjo gjykatë e ka miratuar, atëherë neve na bënë të dyshojmë që mos veprime të tilla procedurale, që nuk kanë mbështetje të qartë në bazën ligjore, ku duhet të mbështetet puna e kësaj Gjykatë, atëherë kjo mund të rrezikojë edhe të drejta të tjera gjatë procedurës. Ky ligj e thotë se të gjithë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta në këtë Gjykatë, por në qoftëse ka probleme gjatë zhvillimit të veprimeve procedurale, gjatë administrimit të provave, nuk respektohen nga kjo Gjykatë standardet më të larta që është pritë, për respektimin e lirive të të drejtave të njeriut, atëherë është rrezik potencial që të shkelet edhe parimi i pafajsisë kur procedura zhvillohet në atë drejtim.
Arbresh.info: Si e vlerësoni transparencën e kësaj gjykate kur ende nuk ka dhënë një numër të saktë të atyre që janë thirrur deri më tani?
Avni Puka: Në këtë fazë mendoj që nuk kanë obligim as në bazë të ligjit as në bazë të standardeve të Gjykatave, sa i përket numrit të të ftuarve dhe në çfarë cilësie. Problemi këtu qëndron nga momenti që dikush ftohet, fillon procedura ndaj tij, atëherë të ketë respektim të standardeve të të drejtave të njeriut. Deri në këtë fazë Gjykata nuk ka asnjë obligim që të informoj sa mund të jetë numri i atyre që do të ftohen, është çështje e tyre.
Mestitull: Gjykata Speciale do të bazohet edhe në ligjet e ish-Jogusllavisë
Arbresh.info: Është përfolur që vitit 2019 do të jetë sfidues për këtë Gjykatë, duke e lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun. Pse mund të lidhet kjo Gjykatë me këto dy procese?
Avni Puka: Baza ligjore, apo puna e kësaj Gjykate nuk ka të bëjë asgjë me liberalizimin e vizave apo tema tjera. Nuk mund të themi se dinamika e kësaj Gjykate lidhet me procese tjera domosdoshmërisht. Mund të ketë pasoja në shumë drejtime, por prapë se prapë punën e saj duhet ta shohim në raport me atë bazë ligjore që e kemi ndërtuar. Në kuptimin juridik ajo Gjykatë është e Kosovës jo e dikujt tjetër por ka element ndërkombëtar, sepse prokurorë, gjyqtarë, madje edhe administrata është ndërkombëtare.
Arbresh.info: Si do të jetë struktura ligjore e kësaj Gjykatë, meqenëse është thënë se do të jenë kryesisht ligje ndërkombëtare dhe ligje të ish-Jogusllavisë?
Avni Puka: Janë dy gjëra që duhet shpjeguar këtu. Është detyrim në rend të parë i Ministrisë së Drejtësisë që të sqaroj për opinionin punën e kësaj Gjykate. Për këtë Gjykatë është ndërtuar një bazë kushtetuese dhe ligjore, për funksionimin e saj. Është miratuar një ligj special i veçantë për themelimin e kësaj Gjykate. Për momentin kjo është baza ligjore, sa shfrytëzohet pastaj Kodi Penal, Kodi i Procedurës e të tjera, Ligji Special ka përparësi. Sa i përket ligjeve ndërkombëtare, ligjeve të ish-Jogusllavisë, kjo është e natyrshme për çdo Gjykatë që trajton krime të kësaj natyre. Një nga parimet kryesore në fushën penale për krimet është që duhet të zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën kur janë kryer këto krime, ose pretendohet se janë kryer. Në këta rast në atë kohë në fuqi kanë qenë ligjet e ish-Jogusllavisë. Lidhur me konventat ndërkombëtare, ato duhet të vlejnë sepse nëse flasim për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, ato janë krime ndërkombëtare dhe përcaktohen vetëm me konventa ndërkombëtare.
Arbresh.info: Pse duhet të jetë sfidues viti 2019 nga Gjykata Speciale për komandantët apo eprorët?
Avni Puka: Nëse flasim për krimet kundër njerëzimit, në shumicën e rasteve eprorët ushtarak, edhe civil nuk përgjigjen për veprime të drejtpërdrejta që ata kanë kryer, por është përgjegjësia e komandës, e eprorit, se përse nuk i kanë parandaluar, nuk kanë marrë masa që ato krime mos të ndodhin nga vartësit e tij. Sa kanë pasur formalisht pushtet, dhe pushtet faktik, komandantët apo eprorët në luftë, do të jetë një nga sfidat që ka qenë edhe në praktikën e Tribunalit të Hagës, por edhe tek Gjykatat tjera të kësaj natyre që të provohet përgjegjësia e komandës, dhe këtu si do të vlerësohen faktet, sa do të merret që ka pasur një organizim të strukturuar ushtria jonë. Sepse kjo do të jetë baza për territorin që kanë udhëhequr në luftë, apo do të gjinden prova që nëse ka ndodhur një krim të njëjtin ta parandalojnë./Valdete Berisha/arbresh.info
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...