Google ADS

Gjykata Speciale po bllokon punën e Kuvendit

08:04 | 20 Janar 2018
Arbresh.info

Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e për të cilën janë mbledhë 43 nënshkrime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës , po pengon zhvillimin e punës së Kuvendit, shkruan arbresh.info.

Kjo për shkak se pikërisht në ditën kur edhe ishte paraparë që për këtë projektligj të bisedohej në mbledhje të Kryesisë një gjë e tillë nuk ndodhi pasi që kjo e fundit dështoi të mbahej për shkak të mungesës së kuorumit.

Përpos kësaj nuk arriti të caktohej as seanca e radhës e Kuvendit pas pushimeve dimërore.

Për gazetarin Agron Halitaj puna e Kuvendit është bllokuar pikërisht shkaku i Gjykatës Speciale.

“Është evidente që puna e Kuvendit është bllokuar shkaku i Gjykatës Speciale. Për sa kohë që Kryesia nuk mund të mbaj mbledhje, nuk pritet të ketë as thirrje të seancës plenare. Parimisht, kjo nuk do të ndodhte në asnjë rrethanë. Në parlamentarizëm ka debat, ka vendimmarrje me votë. Mbi këtë premisë, si ata që e mbështesin nismën e mbi 40 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Specialen, si ata që janë kundër kësaj nisme, duhet që kundërshtimin ta bëjnë me votë e jo me bojkot”, ka thënë ai.

Halitaj, thotë se mjerisht kjo praktikë e bojkotit është nisur pikërisht nga PDK-ja.

“Mjerisht, praktika e bojkotit të deputetëve përgjatë proceseve të ndjeshme ka kohë që është instaluar në Kuvendin e Kosovës. Duhet kujtuar se kjo praktikë është nisur nga PDK-ja.  Bllokada në Kuvend megjithatë duhet të tejkalohet nga vet krye parlamentari, Kadri Veseli, nëse ndodhë që edhe herën tjetër të mos ketë kuorum në Kryesi. Me Rregullore të Punës së Kuvendit, ai e gëzon të drejtën për ta propozuar rendin e ditës për seancë plenare”, ka pohuar Halitaj për arbresh.info.

Por, ndryshe mendon analisti Bajrush Morina. Sipas tij, Kuvendi e ka përfunduar punën me Gjykatën Speciale.

“Kuvendi e ka kryer punën me Specialen. Prandaj mendoj se nuk është Specialja pengesë e punës së Kuvendit. Fundja Kuvendi nuk është themeluar vetëm për të debatuar për Specialen por ka edhe 1001 punë të tjera për t’i kryer para se të merret me Gjykatën Speciale. Në këtë kuadër e shoh të paarsyeshme pengesën e punës së Kuvendit për shkak të Speciales”, ka deklaruar Morina.

Sipas tij, punën e  Kuvendit po e pengojnë partitë e koalicionit.

“Kuvendin po e pengojnë në punën e tyre partitë e koalicionit qeverisës, përkatësisht loja e tyre politike rreth Gjykatës Speciale. Partnerët e koalicionit PDK AAK janë me mendime e qëndrime të kundërta rreth Speciales prandaj ata po e pengojnë edhe punën  e Kuvendit dhe po e bojkotojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka shtuar ai.

Kurse analisti Bekim Kabashi thotë se puna e Kuvendit në vazhdimësi është penguar nga zhvillime politike.

Kabashi, pohon se tentimi për shfuqizim të ligjit për Gjykatën Speciale rrezikon edhe izolimin e vendit.

“Tentimi për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, jo vetëm që rrezikon bllokimin e punës së Kuvendit, por rrezikon edhe izolimin e vendit. Këtë shumë qartë na e kanë thënë edhe ambasadorët e vendeve mike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, dhe vendet e Bashkimit Europian”, ka thënë ai.

Ai thotë se në momentin kur Gjykata Speciale vihet në funksion do të ketë ndikim të madh në proceset në vend.

“Nëse Gjykata Speciale nuk arrihet të shfuqizohet, kur ajo të vihet në funksion, do të ketë ndikim në proceset në vend, duke përfshirë edhe punën e Kuvendit, pasi pjesë e aktakuzave të saj, me shumë gjasë do të jenë personalitete të larta të politikës dhe institucioneve në vend, duke përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Kabashi.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 kanë votuar me shumicë votash për Gjykatën Speciale./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme