Google ADS

Gjykata Speciale miraton rregulloren e ndihmës për të dyshuarit apo të akuzuarit që nuk janë në gjendje të paguajnë mbrojtjen e tyre

11:46 | 3 Shtator 2020
L G

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar Rregulloren e Ndihmës, e cila  pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë, mishëruar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe duke mundësuar miradministrim financiar të burimeve të skemës së ndihmës juridike.

Kështu ka njoftuar zyra për media e Dhomave të Specializuara (DHSK), raporton arbresh.info.

Me këtë rregullore, të dyshuarve ose të akuzuarve në DHSK të cilët provojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, u miratohet ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme për pagesën e avokatit që zgjedhin vetë, i cili plotëson kushtet e pranimit në listën e mbrojtësve të DHSK-së.

“Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit”, thuhet në njoftim.

“ Rregullorja parashtron me transparencë mënyrën se si bëhet kërkesa për ndihmë juridike dhe çfarë dokumentesh duhet t’i dorëzohen Zyrës së Mbrojtjes. Më konkretisht, kërkesës për ndihmë juridike i duhet bashkëngjitur edhe deklarimi i mjeteve financiare. Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Kërkesa për ndihmë juridike refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë. Në qoftë se nuk pajtohet me vendimin e Administratores, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ta apelojë vendimin para një paneli gjykatësish”, thuhet në njoftimin e DHSK-së. /arbresh.info/

Njoftimi i plotë :

Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), dr. Fidelma Donlon, pas këshillimit me Kryetaren, miratoi Rregulloren e Ndihmës Juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës (Rregullorja). Rregullorja pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë, mishëruar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe duke mundësuar miradministrim financiar të burimeve të skemës së ndihmës juridike.

Të dyshuarve ose të akuzuarve në DHSK të cilët provojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, u miratohet ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme për pagesën e avokatit që zgjedhin vetë i cili plotëson kushtet e pranimit në listën e mbrojtësve të DHSK-së. Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit.

Kryetare Ekaterina Trendafilova e përshëndeti miratimin e Rregullores duke theksuar se Rregullorja “ngërthen parimet themelore të parapara në Ligjin tonë dhe standardet universale në drejtësinë penale, duke garantuar të drejtën e të akuzuarve për gjykim të drejtë që përfshin edhe të drejtën për mbrojtje efektive”.

Administratorja llogarit ndihmën juridike në këshillim me panelin kompetent dhe mbrojtësit duke mbajtur parasysh nivelin e kompleksitetit të çështjes dhe të shërbimeve të ofruara nga mbrojtësi në çdo fazë të procesit, ku përfshihen faza para aktakuzës, faza e procedurës paraprake, faza e gjykimit, faza e apelit në shkallë të dytë dhe faza e apelit në shkallë të tretë. Gjithashtu kompensohen deri në një shumë të caktuar edhe shpenzimet që mund të dalin gjatë hetimeve ose si pasojë e nevojës për përkthime.

Rregullorja parashtron me transparencë mënyrën se si bëhet kërkesa për ndihmë juridike dhe çfarë dokumentesh duhet t’i dorëzohen Zyrës së Mbrojtjes. Më konkretisht, kërkesës për ndihmë juridike i duhet bashkëngjitur edhe deklarimi i mjeteve financiare. Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Kërkesa për ndihmë juridike refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë. Në qoftë se nuk pajtohet me vendimin e Administratores, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ta apelojë vendimin para një paneli gjykatësish.

Në Rregullore përcaktohet shuma maksimale e honorarit të ndihmës juridike dhe shpenzime të tjera që mund të kompensohen pas dorëzimit të faturave. Rregullorja përmban edhe procedurën e mbikëqyrjes dhe monitorimit prej Zyrës së Mbrojtjes të shpenzimit të ndihmës juridike.

“Rregullorja e Ndihmës Juridike është gur themeli i skemës së ndihmës juridike që është thelbësore për të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave pjesëmarrëse. Kjo Rregullore mundëson që kushdo që mund të provojë se nuk është në gjendje të paguajë plotësisht ose pjesërisht për përfaqësimin e vet juridik, ka të drejtë për ndihmë juridike dhe që mbrojtësit e viktimave të mund të kryejnë funksionin e tyre” deklaroi Administratorja, dr. Fidelma Donlon. “Për të garantuar miradministrimin financiar të fondeve të caktuara në buxhetin e DHSKsë për ndihmë juridike, Rregullorja përcakton edhe një sistem transparent për llogaritjen e honorarit të ndihmës juridike dhe kompensimin e shpenzimeve të tjera të miratuara pas dorëzimit të faturave.

 

Të ngjashme