Google ADS

Gjykata Speciale: Konfirmohet aktakuza ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

16:52 | 14 Dhjetor 2020
L G

Gjykata Speciale në Hagë bënë të ditur se është konfirmuar aktakuza ndaj ish- krerëve të UÇK-së dhe krerëve të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit (“z. Gucati”) dhe Nasim Haradinajt (“z. Haradinaj”), për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”, njofton gjykata.

Sipas aktakuzës se Prokurorit të Specializuar Gucati dhe Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara, raporton arbresh.info.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Gucati dhe Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara”, njofton gjykata.

Me këto veprime, Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së. Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.

Ndryshe, më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020.

Me konfirmimin e aktakuzës, z. Gucati dhe z. Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para. Paraqitja e parë e z, Haradinaj si i akuzuar do të mbahet të martën, 15 dhjetor 2020, në orën 15:00.

Paraqitja e parë e z. Gucati si i akuzuar do të mbahet të premten, 18 dhjetor, në orën 11:00. Paraqitjet e parë do të mbahen në seanca publike. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme