Të hënën Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve.
Nga kjo gjykatë është thënë se vendimi refuzues vlen deri në përfundim të procedurës penale.
Mirëpo, ky vendim po i shkakton dëm buxhetit të shtetit pasi po shpenzohen miliona euro për pensionet e këtyre veteranëve.
Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa vetëm për muajin që sapo lamë pas janë shpenzuar 6 milionë e 401 mijë e 960 euro.
“Shuma e paguar për veteranët e UÇK-së, për muajin mars 2019 është 6 milionë e 401 mijë 960 euro”, ka thënë në një përgjigje për lajmi.net, Musa Demiri nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Duke u bazuar në të dhënat mujore, i bie që në tre mujorin e parë të këtij viti janë shpenzuar rreth 20 milionë euro për këtë kategori.
Vendimin e Gjykatës Themelore nuk po e shohin të arsyeshëm njohësit e çështjeve juridike.
Rreze Hoxha, njohëse e çështjeve juridike thotë se parimi i prezumimit të pafajësisë garanton që çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës dhe me anë të këtij parimi ende nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale me të cilën akuzohen të pandehurit.
Mirëpo, Hoxha ka theksuar se aktakuza e ngritur ngarkon të pandehurit për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të cilët duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar të tyre i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të sigurimit të dobisë për personin tjetër.
“Në rastin konkret, aktakuza ka identifikuar me emra dhe numra të saktë personat që dyshohet se kanë përfituar nga keqpërdorimi i pozitës nga personat e akuzuar. Pra, aktakuza ka identifikuar personat të cilët dyshohet të mos jenë veteran të luftës dhe që të njëjtit me ane të keqpërdorimit të pozitës nga personat e akuzuar, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj, pensionet që u janë shpërndarë këtyre personave dhe që vazhdojnë të shpërndahen, konsiderohet se janë pasuri e fituar në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj edhe pse te pandehurit nuk kanë përfituar dobi për vete nga vepra e kryer, dobia pasurore e fituar nga personat e tretë (në rastin tonë, veteranët e dyshimtë) është pasuri e shkaktuar nga kryerja e veprës penale”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.
Sipas saj, meqë këto pensione paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe së bashku arrijnë një shumë të lartë, vazhdimi i shpërndarjes së pensioneve për personat që dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit është veprim i cili është dashur të ndalohet nga gjykata.
“Kjo ngase nëse arrihet të vërtetohet kryerja e veprës penale nga personat e akuzuar do të ishte shume problematike konfiskimi i pasurisë së fituar në këtë mënyrë dhe pasojat buxhetore për Kosovën do të ishin shumë të larta. Prandaj, vendimi i gjykatës për lejimin dhe vazhdimin e pensioneve për personat e identifikuar në aktakuzë si persona që kanë përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme ka vënë në rrezik një shumë të madhe të buxhetit të Kosovës e cila në rast të një aktgjykimi dënues, do të jetë vështirë e rikuperueshme”, ka shtuar ajo.
Tutje, Hoxha ka thënë se në rast që gjykata do të vendoste të mos lejonte shpërndarjen e pensioneve kundrejt këtyre personave dhe pastaj të vendoste me një aktgjykim lirues, të gjithë veteranët e përfshirë në këtë listë, të cilëve do të u ishte ndalur pensioni, do të mund të merrnin pensionin e tyre në formë retroaktive.
Sipas saj, kjo do të ishte një zgjidhje më lehtë e realizueshme dhe do të mbronte buxhetin e vendit nga çdo keqpërdorim i mundshëm.
Ndërsa, Blerim Burjani po ashtu njohës i çështjeve juridike mendon se në Kosovë gjykatat dhe prokuroritë nuk janë të pavarura. Sipas tij, i tërë shteti është i kapur.
“Është e ditur se kjo gjykatë është e kapur. Gjykatë dhe Prokurori të pavarur nuk ka, ka gjykatë partiake. Nuk është pritur ndonjë ndryshim sikurse s’ka asgjë për aktakuzat e ngritura kundër komisionit për veteranë. S’ka për çka të flitet përderisa nuk ka ndryshim të qeverisjes dhe largim të zhvatësve nga politika, është humbje kohe të besosh se do të ndryshojë diçka”, ka deklaruar Burjani.
Theksojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. /Lajmi.net/
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...