Gjykata refuzon caktimin e paraburgimit për drejtorin e “Visametric”, ia konfiskon pasaportën

15:05 | 24 Maj 2023
Emir Abduramani

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për t’ia caktuar masën e paraburgimit drejtorit të “Visametric”-ut, turkut me iniciale S.O.

Kjo gjykatë ka njoftuar se në seancën e sotme gjyqesore ka vendosur që drjetorit t’i konfiskohet pasaporta dhe i njëjti të dorëzojë 15 mijë euro në formë dorëzanie, në rast garancioni.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro ( pesëmbëdhjetë mijë euro) si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta. Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së. Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, S.O është arrestuar dje nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, kurse sot kjo prokurori ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të njëjtin.

Ai është arrestuar pasi kompania “Visametric” në Prishtinë nuk respektoi vendinmin e Gjykatës Komerciale për të mos i obliguar aplikantët për vizë gjermane që t’i paguajnë 30 euro për shërbimin postar për kthimin e pasaportës pasaaplikimit./Arbresh.info

 

 

 

Të ngjashme