Një muaj nga kur u mbajt seanca e fundit në këtë rast, Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka caktuar seancën e shqyrtimit të dytë në rastin e njohur si “Pronto”
Saktësisht më 21 dhjetor të vitit të kalaur, Adem Grabovci dhe të akuzuarit e tjerë të rastit “Pronto”, parashihet të paraqitnin kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës dhe provave të këtij rasti, mirëpo, pas kërkesës së Prokurores Drita Hajdari e cila njoftoi se ka hapur rast disiplinor ndaj gjyqtarit të rastit, Shashivar Hoti, seanca u shty në afat të pacaktuar.
Që nga ajo datë, seanca nuk është caktuar ende ndërsa më 6 prill të këtij viti bëhen saktë një vit qëkur kjo aktakuzë është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ende rasti nuk ka kaluar në shqyrtimin gjyqësor kryesor.
Lajmin për mos caktimin e seancës për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit të dytë gjyqësor lidhur me rastin ku të akuzuar janë A.G etj, nuk është caktuar ende, seanca pritet të caktohet së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në seancën e 21 dhjetor të vitit të kaluar, Prokurorja Drita Hajdari kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Hoti.
“Unë kam paraqitur një shkresë për ju për shtyrje të kësaj seancë. Pasi që kundër jush kam paraqitur kërkesë për inicimin e hetimit disiplinor për shkak të shkeljes së etikës për gjyqtar. Në një situatë të tillë konsideroj se nuk është e mundur dhe nuk është etike të vazhdohet me këtë proces deri sa nuk vendoset sipas kërkesës sime apo derisa nuk caktohet ndonjë tjetër gjyqtar në këtë çështje penale siç kam kërkuar fillimisht nga kryetarja e gjykatës”, tha prokurorja Hajdari në seancn e 2 1 dhjetorit.
Prokurorja Hajdari kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Shashivar Hoti edhe gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, por kërkesa e saj ishte refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Deri tek kjo kërkesë e prokurores Hajdari, kishte ardhur pasi që gjyqtari Hoti nuk kishte lejuar leximin e aktakuzës së këtij rasti, përkundër se ishte shqyrtimi fillestar por vetëm e kishte konsideruar si të lexuar aktakuzën.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...
Aktrim lidhur me ngjarjet, Gresa përplaset me Vullnetin, Dre...
Prishtina i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në Tiranë, Veli...
Drenusha e quan Gjestin përndjekës të femrave
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin