Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, gjatë mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor në rastin për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, ku akuzohet ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, M.Z dhe dy të tjerët I.K dhe E.K, ka marrë vendim me të cilën ka ndaluar mediat që t’i drejtohen me emër të akuzuarve.
Ky vendim nga ana e trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismajli, ka ardhur pas kërkesës së të akuzuarit M.Z, i cili ka deklaruar se mediat po incizojnë dhe xhirojnë seancën, e që sipas tij, askund në botë një gjë e tillë nuk lejohet.
M.Z, ka deklaruar se është turp që të akuzuarit të dalin me emër dhe mbiemër në publik dhe që fëmijët e tyre t’i shohin ata në televizor, pa u shpallur ende vendimi se a janë fajtor apo jo.
Ai ka kërkuar që gjykata të kufizojë qasjen e mediave dhe të mos i përmendet emri dhe të mos xhirohet seanca gjatë tërë kohës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë deklarim të tij, mbrojtësi i të akuzuarit I.K, avokati Ramiz Krasniqi, ka thënë se gjithkund në botë gjykimet janë publike dhe se një gjykim që mbyllet nuk është gjykim.
Ai ka thënë se transmetimi i seancave gjyqësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhet edhe “Live”, gjë që nuk është ajo që M.Z ka deklaruar.
Mirëpo, trupi gjykues pas një këshillimi ka marrë vendim që mediave t’iu ndalohet e drejta që të akuzuarve t’iu përmenden emrat, duke iu drejtuar tani të akuzuarve vetëm me iniciale.
Gjykimi më pas është zhvilluar, ku në seancë janë dëgjuar tre dëshmitarë për këtë rast.
Gjykimi ndaj M.Z dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.
Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.
Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
M.Z, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.
Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë.
Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z dhe E.K kanë kryer disa vepra penale.
I.K dhe M.Z akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z Op”, si agjenci punësimi.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.
Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.
I.K dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.
Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.
Me këtë, I.K dhe M.Z akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.
I pandehuri I.K akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.
Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit M.Z dhe E.K akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.
Kurse, i pandehuri M.Z, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejësi/
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...