Të dyshuarit për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Nuhi Nrecaj, i është zëvendësuar masa e paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak.Një vendim të tillë, e ka marrë të mërkurën Gjykata Themelore e Ferizajt.
Në këtë rast, bashkë me Nuhi Nrecajn, për të njëjtën vepër penale, akuzohet edhe Avni Nrecaj, lidhur me rastin që kishte ndodhur, më 7 gusht 2019, në fshatin Godanc i Komunës së Shtimes, të cilët kishin vrarë njërin nga tre të dyshuarit për grabitje në shtëpinë e tyre.
Gjykatësi i rastit, Ibrahim Idrizi, ka thënë se ndaj të dyshuarit Nrecaj, më 8 gusht 2019, ishte caktuar paraburgimi, e cila masë do të skadonte më 5 shtator 2019. Lidhur me këtë, prokurori Veton Shabani kishte dorëzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj Nuhi Nrecajt, si edhe vazhdimin e arrestit shtëpiak për të dyshuarin tjetër, Avni Nrecaj.
“Mbetem pranë kërkesës së paraqitur me shkrim për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe arrestit shtëpiak për të pandehurit. Prokurori i shtetit ka marrë të gjitha veprimet e mundshme hetimore me qëllim të përshpejtimit të këtij rasti, duke e ditur se si ka ndodhur kjo vrasje në rastin konkret. Tani për tani jemi në pritje nga Qendra e Kosovës për Forenzikë, ku janë duke krahasuar gjurmët, janë duke u bërë disa analiza të ADN-së, si dhe ekzaminimi balistik i armës dhe predhave. Arsyeja kryesore për çka është duke u kërkuar edhe vazhdimi i kësaj mase të paraburgimit është se një predhë gjendet ende në trupin e tani të pandehurit, dhe me qëllim të sqarimit të plotë të asaj ngjarje, për ne është e nevojshme që në konsultim me mjekët, ajo predhë të hiqet, në mënyrë që e njëjta të krahasohet me predhat e tjera dhe me armën, e cila është konfiskuar në vendin e ngjarjes. Prandaj edhe kemi paraqitur këtë kërkesë, deri sa të grumbullohen të gjitha provat, ku më pas do të analizohen të gjitha veprimet që do të shkojnë edhe deri tek kualifikimi i kësaj vepre penale, qoftë si mbrojtje e nevojshme, vrasje, apo tejkalim i mbrojtjes së nevojshme”, ka thënë Shabani.
Për caktimin e kësaj mase, kishte kundërshtime nga mbrojtësi i të akuzuarit Nrecaj, avokati Xhemajl Ahmeti.
“E kundërshtojmë kërkesën për vazhdimin e paraburgimit për shkak se konsiderojmë se e njëjta është e pabazuar, pasi që të pandehurit i dihet identiteti, dhe i njëjti nuk ka tentuar asnjëherë t’i shmanget drejtësisë, si dhe nuk ka të kaluar kriminale. Sa i përket pretendimit të prokurorisë që masa e paraburgimit duhet të vazhdohet vetëm për shkak të heqjes së predhës nga këmba, për neve si mbrojtje është kërkesë jo e drejtë, sepse Kodi i Procedurës Penale ka paraparë edhe masa të tjera më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale. Andaj, konsiderojmë se arresti shtëpiak do të ishte i mjaftueshëm për ta siguruar praninë e të pandehurit, deri në momentin kur sipas udhëzimeve të mjekëve do t’i hiqet predha nga këmba”, ka thënë Ahmeti.
Pas kësaj, gjykatësi Idrizi ka obliguar të të pandehurit Nrecaj që gjykatës t’ia dorëzojë pasaportën e Republikës së Kosovës, si edhe lejeqëndrimin e shtetit të Zvicrës, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të largohej nga Kosova dhe nga vendbanimi i tij.
“Sa i përket masës së paraburgimit, përkrahi fjalën e avokatit tim që të mos më vazhdohet paraburgimi, por të caktohet burgimi shtëpiak. Njëherit nuk do të iki në asnjë mënyrë me qëllim që të largohem nga procedura. Dokumentet e udhëtimit, dhe atë, pasaportën dhe preminë C të shtetit të Zvicrës, e kam dorëzuar në polici në momentin kur kam shkuar për të dhënë deklaratë në ditën kur ka ndodhur rasti. Jam në gjendje që dokumentet e udhëtimit t’i dorëzojë si garancion që nuk do të largohem nga vendbanimi”, ka deklaruar Nrecaj.
Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 7 gusht 2019, rreth orës 03:20, në fshatin Godancë të Komunës së Shtimes, të pandehurit Nuhi dhe Avni Nrecaj, me dashje kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, F.G, i cili së bashku me tre persona të tjerë të maskuar, kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të dyshuarve për të kryer grabitje.
Në kërkesë thuhet se me t’i vërejtur grabitësit, i pandehuri Nuhi Nrecaj, kishte filluar të përleshej fizikisht me tani të ndjerin, ku edhe plagohet me armë zjarri në këmbën e djathtë nga njëri prej tyre.Sipas kërkesës, grabitësit kishin arritur të largoheshin nga shtëpia, me ç’rast të pandehurit e kishin ndjekur deri në rrugën kryesore të fshatit dhe diku pas 300 metrash kishin arritur që ta kapnin dhe përsëri ishin përleshur me të njëjtin, ku gjatë përleshjes, me një thikë e kishin goditur në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje, ai kishte mbetur i vdekur. /BetimipërDrejtësi
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...
Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar ...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do të ndryshojnë tempera...
Lonely Planet Italia: Në liqenet e Shqipërisë, një udhëtim i...