Google ADS

Gjykata merr këtë vendim për dy hajdutët e rrezikëshëm nga Gjakova

17:00 | 1 Shtator 2019
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim për dy hajdutët të cilët nën kërcënim të armëve, duke përdorur dhunë, kanë grabitur disa pompa të derivateve, shkruan Gazeta Metro.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve M. Sh. dhe B. Z. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas gjykatës, të pandehurit dyshohen se më 29 gusht të këtij viti, kanë kryer veprën penale të grabitjes në atë mënyrë që të pandehurit M. Sh. dhe B. Z. të pajisur me armë zjarri dhe me një automjet me targa të falsifikuara, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve “F. O.” në fshatin Xërxe të Komunës së Rahovecit, duke përdorur dhunë dhe në kërcënimin e armëve, nga arka marrin shumën e të hollave në vlerë prej një mijë euro, si dhe nga xhepi i të dëmtuarit D. M. i marrin shumën prej njëqind euro, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.

“Me rastin e kontrollit dhe bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, të dyshuarit M. Sh. janë gjetur një pushkë e tipit “Shoot gun” dhe një revole e tipit “TT”. Me këto veprime dyshohet se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale, “Grabitja” ndërsa për të pandehurin M. Sh. edhe për veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 30 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2019. Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Gëzim Pozhegu, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve M. Sh. dhe B. Z., konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme