Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot do të kremtojë përvjetorin e 14-të të vitit Gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet në sallën “Beethoven” të “Hotel Emerald” në Prishtinë.
“Ceremonia do të fillojë në orën 17:15 dhe në të do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga: Gjykata Kushtetuese e Austrisë, Gjykata Kushtetuese e Belgjikës, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës, Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, Gjykata Supreme e Estonisë, Këshilli Kushtetues i Francës, Gjykata Supreme e Holandës, Gjykata Supreme e Irlandës, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, Gjykata Kushtetuese e Letonisë, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë Veriore, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme Administrative e Portugalisë, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë, dhe Gjykata Kushtetuese e Turqisë. Pjesëmarrës në ceremoninë e Vitit të 14-të Gjyqësor do të jenë edhe përfaqësuesit nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.
Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’u drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, gjyqtari federal dhe këshilltari kryesor i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të procesit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, z. John Tunheim dhe kryetari i Këshillit Kushtetues të Francës dhe njëherësh ish-kryeministri francez, z. Laurent Fabius. Nëpërmjet një video-adresimi, pjesëmarrësve në ceremoninë solemne do t’ju drejtohet edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu.
Pas ceremonisë solemne, që do të përmbyllet me një koktej rasti për pjesëmarrësit, në shënim të 14-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, të martën, më 24 tetor 2023, me fillim në orën 09:00, në sallën “Beethoven” të “Hotel Emerald” do të mbahet Konferenca ndërkombëtare në temën: “Kontributi i Gjykatave Kushtetuese në mbrojtjen dhe forcimin e vlerave themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”./Arbresh.info
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...
Real Madridi gjen më në fund zëvendësuesin e Toni Kroosit, s...
Magjistralja Ferizaj-Prishtinë vërshohet nga uji
Rama uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë