Google ADS

Gjykata Komerciale do të kushtojë rreth 5 milionë euro, të kihet kujdes në përzgjedhjen e stafit

10:24 | 17 Korrik 2021
L G

Themelimi i Gjykatës Komerciale, buxhetit të shtetit pritet t’i kushtojë rreth 5 milionë euro, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike në vend.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se Gjykata Komerciale do të krijojë një siguri për investime, derisa ka treguar se kjo buxhetit të vendit do t’i kushtojë rreth 5 milionë euro.

Mirëpo, sigurimin e buxhetit Shahini nuk po e konsideron problem të madhe për Qeverinë, pasi që kanë paralajmëruar rritje ekonomike prej 7.9%.E përzgjedhja e stafit që kanë njohuri juridike e ekonomike do të krijojë një siguri më të madhe te investitorët në të ardhmen.

“Kjo është një siguri për investime, është një siguri për biznes, ndërmarrës për të gjithë ata që kanë të bëjnë me këtë institucion, por Gjykata Komerciale vendit do ti kushtojë rreth 5 milionë euro, në angazhimin e stafit, të infrastrukturës, të gjithë legjislacionit fizik dhe ligjor dhe kjo do të duhet të ketë buxhet shtesë dhe ne nëse kemi rritjen që po premtohet nuk do të ketë problem dhe kjo ish dashtë të fillojë vitin e ardhshëm sepse mundësitë mund ti ketë qeveria e vendit, por këtu një problem tjetër, rekrutimi i stafit jo atij politik por i ekspertëve i njerëzve që njohin problemet juridike dhe ekonomike dhe këto do ti japin një siguri të mëdha investitorëve të ardhmen”.

Mirëpo, Shahini thotë se Ligji për Gjykatën Komerciale në fuqi mund të hy në janar të vitit të ardhshëm, nëse Qeveria e merr seriozisht këtë punë.“Ne kemi thënë se kjo mund të jetë në fuqi vitin e ardhshëm nga janari, por nuk varet nga ne por nga institucionet e shtetit se sa e kanë marr seriozisht dhe sa mund të punojnë në atë drejtim”.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, thotë se duhet të tregohet kujdes i shtuar në përzgjedhjen e kuadrit, derisa shton se do të jenë të nevojshëm më tepër se 20 gjykatës.Krijimin e Gjykatës Komerciale, Gërxhaliu po e lidh me besueshmërinë të bizneset pasi që do të ekzistojë mundësia për eliminimin e burokracisë.“Një ndër dëmet më të mëdha që ju ka bë Kosovës që nga viti 1999 e këndej është mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit, dhe dua të besoj që një ligj i tillë do ti ketë efektet e veta, por vlen të theksohet që Kosova nuk vuan nga mungesa e ligjeve mirëpo vuan nga mos zbatimi i tyre, prandaj dua të besoj që nuk i bëhet nder Kosovës që të kemi vetëm duplifikim, të barten të njëjtat kompetenca që ka pasur Departamenti Komercial në nivel të Gjykatës

Themelore dhe duhet të kemi kujdes në zgjedhjen e kuadrit që duhet të jenë në këtë gjykatë, dhe duhet të jenë më tepër se 20 gjykatës dhe nëse vlera e tyre matet me përkatësi politike do të jetë rrugë e dështuar.

Është një besueshmëri te bizneset vendore se me të vërtet do të eliminohet burokracia dhe nuk do të ketë pritje me vite për zgjedhjen e problemeve të ndryshme”.

“Nuk besoj se një gjykatë e tillë do të jetë funksionale para një vit e gjysmë, dokumentacioni që është i nevojshëm, sepse nuk mjafton vetëm ligji, dhe qeveria duhet ti përshpejtojë këto procese. Duhet të kemi kujdes në kuadrin e zgjedhur, duhet të ketë një pavarësi më të madhe sa i përket influencës politike”.

Të ngjashme