Google ADS

Gjykata i “nënshtrohet” Thaçit, pa u ftuar, lejohet të dëshmojë në rastin “Syri i Popullit”

12:45 | 11 Korrik 2019
arbresh.info

Presidenti, Hashim Thaçi, po vazhdon të merret në pyetje nga avokati i të akuzuarit Sadri Ramabaja, por më tepër ka bërë pyetje se sa që është përgjigjur.

arbresh.info merr vesh se presidenti Thaçi nuk ka qenë i ftuar të dëshmojë në seancën e sotme gjyqësore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për rastin ‘Syri i Popullit”.

Për të njëjtin rast, presidenti Thaçi kishte dëshmuar edhe në dhjetor të vitit të kaluar.

Thaçi në dëshminë e tij të siguruar nga T7, pati deklaruar se organizatori kryesor i organizatës “Syri i Popullit” është ish-anëtari Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, dhe krerët e kësaj partie.

“Njeri ndër organizatorët e kësaj organizate është i akuzuar Sadri Rambaja, pasi vetë ky ka dalë publikisht me idenë për marrjen e pushtetit, qoftë edhe me forcë, me dhunë, madje si aktivist i Vetëvendosjes.

Organizata “Syri i popullit”, sipas presidentit Thaçi, ka gisht edhe në vrasjen e figurave të njohura të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për këtë rast, deri më tani dëshminë e tyre e kanë dhënë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ish-Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe deputeti i PSD-së, Faton Topalli.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 shkurt 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari ta vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017 e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12:00 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “Hakmarrje në ndihmë” nga Neni 396 i KPRK-së. Llumnica sipas kësaj aktakuze sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më 16 maj 2017, thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z., duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral.

Sipas akuzës, Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Llumnica akuzohet për veprën penale “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së. Të pandehurve: Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që t’i destabilizonin ose t’i shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme