Google ADS

Gjykata franceze dënon katër kosovarë

14:12 | 9 Prill 2018
Arbresh.info

Gjykata e Marsejës në Francë, të enjten i ka dënuar trafikantët e drogës dhe disa kosovarë me dënime deri në 13 vite burg, të cilët kanë qenë të rekrutuar për një operacion komando kundër konkurrentëve në qytetin e Marsejës në vitin 2015, operacion ky që kishte rezultuar me shkëmbim zjarri dramatik me policinë.

Të vlerësuar si shefa të komandos, Salim Tachouaft, 37-vjeçar dhe Seif Khadhri, 29-vjeçar, nga Gjykata penale janë dënuar me 13, gjegjësisht 10 vite burg.

Ata kanë mohuar akuzat ndaj tyre. Tetë anëtarët e tjerë, të dyshuar si pjesëtarë të komandos, janë dënuar me 6, gjegjësisht me 8 vite burg, shkruan “France 3”, transmeton Albinfo.ch.

Me dënim në mes të 5 e 6 vitesh burg janë dënuar katër kosovarë, të cilët kanë qenë pjesë e bandës. Ndaj tyre është shqiptuar edhe ndalesë përfundimtare për hyrje në territorin francez.

Ngjarja ishte zhvilluar më 9 shkurt 2015, disa orë para se kryeministri Manuel Valls të vizitonte Marsejën. Të armatosur deri në dhëmbë dhe të maskuar, ata u përleshën me një grup tjetër në pjesën e qytetit Castellane. Me përkrahjen e një grupi kosovar, ata u përpoqën ta dëbojnë grupin tjetër konkurrent në tregun e lëndëve narkotike.

Më në fund, ata ndeshen me policinë franceze duke shkëmbyer të shtëna armësh, por pa ndonjë të plagosur. Të rekrutuar në Evropën Lindore, për të përkrahur rrjetin e trafikantëve, kosovarët kanë deklaruar se nuk iu kujtohet se kush ka qenë i pranishëm në ditën e të shtënave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme