Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit, qoftë kur flitet për joefikasitetit në punë, pastaj mospërmbarimit të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit. Edhe tani në fund të vitit 2018 janë me qindra mijëra lëndë të pazgjidhura që vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e organeve të drejtësisë, si në prokurori e gjykata të vendit.
Pos lëndëve që tashmë konsiderohen të vjetra, gjykatat dita-ditës po ngarkohen edhe me lëndë të reja, e që nuk po zgjidhen në afate optimale. Kjo po ndodh për shkak të një problemi të moçëm, atë të mungesës së numrit të mjaftueshëm të punonjësve në sistem.
Sipas të dhënëve që Prokuroria e Shtetit i ka dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, janë 58 mijë e 831 lëndë të cilat janë zgjidhur apo janë në proces për t’u zgjidhur, ndërkaq prokuroritë presin që edhe 99 mijë e 55 lëndë t’i zgjidhin.
Monitoruesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, thonë se numri i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe vonesat e gjata përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, Gjykatat Themelore prijnë me numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se shpesh herë gjykatat vendore janë kthyer në shkelësit më të mëdhenj të drejtave të njeriut, kështu duke mos zgjidhur raste të caktuara e që janë në pritje me vite të tëra.
“Vonesa e gjykatave në ndarjen e drejtësisë, është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut. Raportet e Institutit të Kosovës për Drejtësi nga monitorimi sistematik i të gjitha gjykatave në Kosovë, dalin me gjetje ku gjykatat në vend që të ofrojnë drejtësi për qytetarët e Kosovës, të njëjtat janë kthyer në shkelësit më të mëdhenj të drejtave të tyre”, thotë Miftaraj.
Si do qoftë, ai tregon se duke krahasuar me vitet e mëparshme, është zvogëluar numri i lëndëve të pazgjidhura.
Sipas tij, vonesat më të mëdha aktualisht janë në çështjet civile dhe administrative.
“Gjykatat në Kosovë në krahasim me vitet e mëparshme, kanë arritur të zvogëlojnë numrin e lëndëve në krahasim me disa më herët. Si do qoftë duke marr për bazë numrin e madh të lëndëve të grumbulluara në gjykatat e Kosovës, e veçanërisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, qytetarët edhe më tutje duhet të presin me vite të tëra e ndonjëherë edhe me dekada për të realizuar të drejtat e tyre. Vonesat më të mëdha janë në çështjet civile dhe administrative”, ka thënë Miftaraj.
Ndryshe, në raportet e publikuara, përfshirë edhe Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, sistemi i drejtësisë në Kosovë cilësohet si jo efikas dhe pak i besueshëm tek qytetarët.
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...
Reduktimet e rrymës, reagon Daut Haradinaj: Hajnia me GEN-in...
Berisha uron Krishtlindjet nga Kisha Katolike: Magjia e kësa...
Siljanovska me kritika ndaj BE-së në fjalimin vjetor: Është ...
Vetura përplas për vdekje një 50-vjeçar që lëvizte me biçikl...