Gjykata e lë në paraburgim Arsim Gashin për sulmin fizik ndaj profesoreshës Hatixhe Latifi-Pupovci

18:15 | 12 Maj 2022
L G

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj mjekut, Arsim Gashi, i cili dyshohet se të martën ka sulmuar fizikisht profesoreshën Hatixhe Latifi-Pupovci në zyrën e saj në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Gashit, shkruan arbresh.info.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci është sulmuar të martën fizikisht në objektin e këtij fakulteti.

Ajo ishte sulmuar fizikisht rreth orës 14 :30, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, nga Gashi, meqë ia kishte rrëzuar djalin nga provimi.

Latifi-Pupovci  ishte dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor./arbresh.info/

Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit A.G
Prishtinë 12 maj 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.G për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.Të pandehurit A.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2, pika 1.2.2 dhe 1.2.3 e lidhur me nenin 188, 189, 190 të KPPRK-së.Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Të ngjashme