Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë ka caktuar seancën gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit Enver Berisha, të akuzuar për mosdeklarim të pasurisë.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.
“Seanca gjyqësore në çështjen penale ndaj të pandehurit Sokol Bashota, është caktuar më 28 tetor 2020, ora 13:00”, tha Zhuti.
Ndryshe, rasti i ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të Klinës, Enver Berisha, për mosdeklarim të pasurisë, do të gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.
Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Ahmet Rexhaj, përafërsisht 10 muaj pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm nuk ka kompetencë territoriale për të vendosur ndaj të pandehurve Sokol Bashota dhe Enver Berisha, pasi vepra penale për të cilën të pandehurit akuzohen është kryer brenda territorit të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Klinë.
Sipas Gjykatës së Pejës, e njëjta nuk është kompetente për të vepruar për këtë rast penal, pasi kompetenca territoriale në parim i takon Gjykatës Themelore brenda territorit të së cilës është kryer ose është tentuar të kryhet vepra penale, ose brenda territorit ku është shkaktuar pasoja.
Sipas Gjykatës së Pejës, vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit Bashota dhe Berisha është kryer brenda territorit të Gjykatës Themelore, dega në Klinë
Ndryshe, me 6 nëntor 2019 Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
Përveç Bashotës, për mos deklarim të pasurisë ishte dënuar edhe ish-nënkryetari i Klinës, Enver Berisha me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.
Gjykata e Apelit ka konsideruar se aktgjykimi i shpallur nga kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Për këtë, shkalla e dytë e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ka kthyer në rigjykim
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në arsyetimin e Apelit rezulton se Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë arsye për çdo pikë të aktgjykimit, nuk ka vërtetuar saktësinë e provave kundërthënëse dhe arsyet në të cilat është bazuar në rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale.
Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë përgjigje përkitazi me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Bashota, avokatit Gëzim Kollqaku, i cili kishte pretenduar se banesa kontestuese për të cilin klienti i tij akuzohet se nuk e kishte deklaruar, ishte blerë me kontributin familjar.
“Nuk ka dhënë përgjigje në pretendimet ankimore të mbrojtjes se kur është blerë kjo banesë dhe në emër të kujt ka qenë banesa në fjalë në vitin 1999, me cilat mjete dhe nga kush është blerë konkretisht. Ka kundërthënie te kontrata mbi dhuratën pasi në faqen 7 pasuesi i fundit që ka të bëjë me provat e administruara qëndron e dhëna se kontrata mbi dhuratën e banesës është e datës 30 gusht 2016, e që si e tillë është e pakuptim që të ketë numër rendor të vitit 2006, e ndërsa është e vërtetuar në vitin 2016. Kush ka jetuar nga familjarët e të akuzuarit Sokol dhe ku ka jetuar i akuzuari gjatë periudhës me qira”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndër të tjera, Apeli ka konstatuar se Gjykata Themelore e Pejës kishte arsyetuar vetëm provën, e cila vërteton pagesën për energji elektrike, ujësjellësin dhe pastrimin, në të cilin kishte qenë i pandehuri Bashota konsumator, mirëpo sipas Apelit, nuk janë dhënë arsyet lidhur me vërtetimin e pronësisë në raport me deklarimet e prejardhjes së pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Kurse, Apeli në lidhje me mos deklarimin e veturës të tipit “BMË”, thekson se raporti i policisë, në të cilin ishte bazuar Gjykata e Pejës se Bashota ishte pronar faktik, e jo juridik i saj, nuk është provë e mjaftueshme që të vërtetojë se ai ishte pronar i veturës.
“Në rigjykim gjykata po ashtu rreth kësaj veture të ftoj si dëshmitar pronarin juridik të kësaj veture dhe blerësin e mëvonshëm të saj që të sqarohet roli dhe veprimet konkrete të akuzuarit në raport me “BMË, pasi që vetëm raporti informues i policisë nuk është i mjaftueshëm që të vërtetohet pronësia e veturës pa prova tjera që duhen analizuar dhe arsyetuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Në anën tjetër edhe vendimi gjyqësor ndaj të pandehurit Enver Berisha, sipas Apelit është marrë në shkelje të procedurës penale, pasi nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Berisha se nga historiku i paluajtshmërisë kontestuese, ai nuk kishte qenë pronar.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 29 maj 2019, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tij nuk do të ekzekutohet, sipas kryetarit të trupit gjykues në shkallë të parë, Sylë Lokaj, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, kurse dënimin me gjobë, detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Enver Berisha, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.
Ndaj Bashotës dhe Berishës, ishte shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi prokurorja e rastit, Sahide Gashi kishte hequr dorë nga ndjekja penale.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përveç Bashotës e Berishës, akuzoheshin edhe Esat Rraci dhe Fadil Gashi, por edhe ndaj tyre prokurorja kishte hequr dorë nga ndjekja penale, me ç’rast më pas edhe ndaj tyre ishte shpallur aktgjykim refuzues.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 4 gusht 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë procesit të ndarjes së banesave me qira, në pronësi të Komunës së Klinës, kanë bërë marrëveshje politike (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë), për shpërndarjen e banesave. Pas kësaj marrëveshje, të pandehurit kanë ndikuar në procesin e vendimmarrjes, ku kanë anashkaluar aplikantët me gjendje të rëndë ekonomike dhe kanë shpërblyer shokët e tyre partiakë me banesa.
Sipas prokurorisë, dy të pandehurit Esat Rraci dhe Fadil Gashi, duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, kishin paraqitur kërkesa me shkrim për blerjen e banesave, të cilat u ishin ndarë atyre. Por, si rezultat i hetimeve, procesi i blerjes ishte pezulluar.
Prokuroria, gjithashtu e ngarkon kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, dhe Enver Berishën, edhe me veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se në periudhën janar 2009 deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ndryshe, të pandehurit ishin akuzuar edhe me veprën penale “mashtrimi në detyrë”, por kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, më herët e kishte hudhur poshtë këtë pikë të aktakuzës.
Rrjedhshmëria e seancave dhe vendimeve gjyqësore
Pas ngritjes së aktakuzës, të pandehurit kishin mohuar akuzat për korrupsion dhe atë në të dy seanca të ndryshme gjyqësore.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 12 dhjetor 2016, në Gjykatën Themelore në Pejë, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa më 31 mars 2017, pas zgjerimit dhe ndryshimit të aktakuzës nga prokurorja Bolici, edhe njeherë, katër të akuzuarit i kishin mohuar akuzat të cilat iu vihen në barrë.
Pas zgjerimit të aktakuzës, gjykata kishte mbajtur shqyrtimin e dytë më 30 qershor 2017, ku të akuzuarit me mbrojtësit e tyre ishin deklaruar lidhur me kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe provave.
Në këtë seancë, mbrojtësi i dytë i të akuzuarit Bashota, avokati Haxhi Millaku, kishte kërkuar nga gjykata që CD-ja e përgjimeve, si provë e cila është bashkëngjitur akuzës, të hedhet në tërësi, pasi në atë CD, sipas tij, janë të përfshira edhe bisedat privatë të të akuzuarit Bashota.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Besnik Berisha, kishte kontestuar ndjekjen penale ndaj të mbrojturit të tij, Fadil Gashi, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.
Lidhur me pretendimet e mbrojtjes të të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 nëntor 2017, kishte aprovuar pjesërisht të bazuar kërkesën e avokatëve Gëzim Kollçaku dhe Haxhi Millaku, mbrojtës të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokola Bashota, dhe ka përjashtuar nga shkresat e lëndës CD-në me materiale të pranuara nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), e njohur si prova “CD 1”.
Në aktvendim thuhej se masa e fshehtë e përgjimit të telefonit të të pandehurit Sokol Bashota, përkatësisht SMS-të e regjistruar në CD, shumica prej tyre kanë të bëjnë kryesisht me jetën private të tij.
Sipas gjykatës, SMS-të nuk kanë të bëjnë me të provuarit e ndonjë elementi të veprave penale, dëmit të shkaktuar me vepër penale, mbrojtjes nga ndjekja apo ndonjë çështje tjetër të rëndësishme.
Përveç pranimit të kundërshtimit të provës “CD 1” nga mbrojtësit e të akuzuarit Bashota, gjykata kishte refuzuar të gjitha kundërshtimet për provat tjera të akuzës, të parashtruara nga dy mbrojtësit e Bashotës, nga i pandehuri Esat Raci si dhe avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të pandehurit Fadil Gashi.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, me 6 shkurt 2018, kishte anuluar vendimin e gjykatës se shkallës se parë, duke e kthyer të njëjtën në rivendosje.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku thuhej se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gashi, avokatit Besnik Berisha, lënda duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.
Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhej se Apeli nuk mund ta pranojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi që i njëjti është marrë me shkelje të së drejtës thelbësore të palës. Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk duhet të shpreh mendim nëse është personi i akuzuar person zyrtar apo jo, dhe të deklarohet se çfarë vepre përbëjnë veprimet e të akuzuarit.
Kurse, Gjykata e Apelit e Kosovës me 30 maj 2018, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila më 19 prill të atij viti, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës, në rastin e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota si dhe të akuzuarve tjerë Esat Raci, Enver Berisha e Fadil Gashi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. /BetimipërDrejtësi
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës
Hyundai ka një shef të ri