Google ADS

Gjykata e Apelit i lë në paraburgim të arrestuarit në rastin “Subvencionet”

15:55 | 20 Gusht 2021
A. B.

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e ashtuquajtur “Subvencionet”.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se “kolegji penal nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat e mbrojtësve të të pandehurve S.SH., S.S., L.S., H.M., B.N., D.A., A.B., SH.K., P.K., etj. të paraqitura ndaj aktvendimeve të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë me aktvendimet përkatëse ndaj të pandehurve të lartcekur kishte vazhduar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj katër të pandehurve tjerë kishte vazhduar masën e arrestit shtëpiak, për shkak të veprave penale marrja e ryshfetit, nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK; mashtrimi me subvencione nga neni 324 i KPRK; dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK; keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK, mashtrimi në detyrë nga neni 419 të KPRK; Legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 395 të KPRK, etj”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Kolegji penal i Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake i gjykatës së shkallës së parë drejtë ka vepruar kur ndaj të pandehurve ka vazhduar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj katër të pandehurve ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë, duke e pasur parasysh natyrën e veprave penale dhe rrethanat tjera të rastit konkret, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme