Gjykata e Apelit e lë në paraburgim Enver Sekiraqën

18:01 | 30 Tetor 2017
Arbresh.info

Gjykata e Apelit e ka lënë në paraburgim Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 37 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, në gusht të vitit 2007.

Lajmin për vazhdimin e kësaj mase të sigurisë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është zgjatur masa e paraburgimit ndaj të pandehurit Enver Sekiraqa, i cili ishte arrestuar me urdhër të Gjykatës së Apelit, më 20 Tetor, 2017. Masa e paraburgimit do të shqyrtohet në pajtim me Nenin 193, paragrafi 2 i Kodit te Procedurës Penale, nga gjykata e shkallës së parë, me rastin e rigjykimit të kësaj çështje. Palët në procedurë do të njoftohen në mënyrë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, më 24 tetor të këtij viti, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Aktvendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, nuk e kishte bërë publik Gjykata e Apelit.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkas ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

“Betimi për Drejtësi”, vazhdimisht e ka monitoruar procesin gjyqësor që është zhvilluar në këtë rast.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të këtij viti, ku ishin  shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Sekiraqa, kishte deklaruar se nuk ka dhe asnjëherë nuk do të gjendet asnjë provë që do të vërtetohet fajësia e tij për akuzat, për të cilat është dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

“Jam dënuar me 37 vite burg për dy vepra penale që kurrë në jetë as në ëndërr nuk i ka parë, prandaj ju lus që të më lejoni të mbrohem në liri”, kishte deklaruar Sekiraqa, i cili ndodhej në paraburgim që nga janari i vitit 2014.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Prokuroria në ankesën e paraqitur kishte kërkuar që të anulohet vendimi lidhur me veprën penale “ndikimi”, me arsyetimin se e njëjta kishte arritur parashkrimin, të cilën gjë e mirëpriten edhe pala mbrojtëse.

Ndryshe, në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme