Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Sokol Morinës, i dënuar me kusht për shkak të pjesëmarrjes në grupe terroriste në Siri.
Gjykata Themelore në Pejë, në korrik të vitit të kaluar, Sokol Morinën e kishte shpallur fajtor për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe për këtë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh, dënim i cili nuk ekzekutohej nëse ai nuk kryen ndonjë vepër penale brenda tre vjetësh.
Mirëpo, e pakënaqur me këtë dënim, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit me ankesë, ku kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit Morina, të shqiptohet një dënim më i ashpër. Duke vendosur sipas ankesës së PSRK-së, por edhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.Sipas vlerësimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Gjykata është e obliguar që në arsyetim të aktgjykimit t’i paraqesë shkaqet për çdo pikë të arsyetimit edhe kur të akuzuarit i është shqiptuar dënim nën minimumin e paraparë për veprën penale për të cilën e ka shpallur fajtor, t’i paraqesë rrethanat, posaçërisht lehtësuese në të cilat është bazuar”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Në rastin konkret, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë, është thirrur vetëm në rrethana të përgjithësuara lehtësuese, si sjelljet e të akuzuarit gjatë shqyrtimit gjyqësor, moshën relativisht të re, pretendon të krijojë familje, është mbajtës i familjes, më parë nuk ka qenë i dënuar, pendimin për veprën e kryer, kurse si rrethanë posaçërisht lehtësuese e ka marrë vetëm gjendjen e tij shëndetësore. Megjithatë, këto rrethana lehtësuese, nuk e kanë bindur Apelin se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Morina, përkon me veprën penale të kryer.
“Gjykata e Apelit, vlerëson se rrethanat lehtësuese që i ka pasur parasysh gjykata e shkallës se parë, me rastin e shqiptimit të dënimit nuk janë rrethana me të cilat dënimi mund të ulet deri në atë masë, se në rastin konkret aktgjykimi i ankimuar fare nuk përmban arsyet përkitazi me zbutjen e dënimit nën minimumin ligjor, se nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese, pendimi për veprën e kryer penale, kur i akuzuari edhe pse i ka pranuar veprimet inkriminuese nuk e ka pranuar fajësinë, që do të thotë se nuk është penduar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Po ashtu, as mosha e re e të akuzuarit, sipas Apelit, nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese, pasi që i njëjti, në kohën e kryerjes së veprës penale i ka pasur 32 vjet. As gjendja shëndetësore e të akuzuarit, sipas Apelit, nuk mund të merret si masë posaçërisht lehtësuese pasi që, kjo gjendje e tij shëndetësore nuk është përcaktuar në aktgjykim, mirëpo vetëm është përshkruar mendimi i fizioterapeutit Burim Pela, i cili nuk ka mund të jep mendimin rreth gjendjes shëndetësore të akuzuarit, se a është i aftë për tu kujdesur për veten, apo ka nevojë për ndihmë nga personi tjetër. Në fund të vendimit të saj, Apeli e udhëzon shkallën e parë, që në rigjykim të mënjanohen shkeljet e theksuara më lartë, të veprojë në pajtim me vërejtjet e cekura, pastaj të vendos se a janë plotësuar kushtet për shqiptimin e dënimit nën minimumin ligjor, e varësisht nga mënyra e vendosjes, të vazhdojë me procedurë siç parashihet me ligj, e pastaj të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm. Ndryshe, sipas ankesës së prokurorisë, gjykata e shkallës së parë, gabimisht ka aplikuar dispozitat e zbutjes së dënimit ndaj të akuzuarit Morina, pasi që, për veprën penale për të cilën është dënuar Morina, parashihet dënim nga 5 deri në 10 vjet burgim.
“Me këtë rast, shkalla e parë e ka dënuar Morinën me dënim prej dy vjetësh burgim, e që është nën minimumin e paraparë”, thuhej në ankesën e PSRK-së.
Tutje, prokuroria kishte theksuar në ankesë, se në rastin e të akuzuarit Morina, nuk ka pasur as pranim të fajësisë, të cilën rrethanë gjykata e shkallës së parë ka mundur të marrë si rrethanë lehtësuese.Kurse, në seancën e kolegjit të Apelit, që ishte mbajtur më 8 shkurt të këtij viti, mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Asdren Hoxha, kishte kundërshtuar ankesën e bërë nga ana e Prokurorisë Speciale. Hoxha, kishte thënë se qëllimi i dënimit nuk duhet të jetë, dëmtimi i të akuzuarve, por rehabilitimi i tyre. Në këtë rast, sipas Hoxhës, kemi të bëjmë me një të akuzuar të ri në moshë, i cili është penduar për veprën që ka bërë dhe për më tepër, nuk mund as të ecë pasi që ishte plagosur në konfliktin në Siri.
“Edhe mjeku që ka qenë gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë, ka thënë se dërgimi i Sokolit në burg mund të ketë si pasojë që këtij të fundit t’i këputet këmba, pasi që ka nevojë nonstop për trajtime”, kishte deklaruar Hoxha.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sokol Morina akuzohet se në periudhën kohore korrik 2013 deri në janar 2014, me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupit terrorist “Al Nusra”, i pandehuri së bashku me shokun e tij Alban Shala, kanë udhëtuar në Siri në mënyrë ilegale, me ç’rast janë stërvitur për gjuajtje nga grupi terrorist i lartcekur, ku si pasojë e konflikteve i njëjti ka marrë lëndim në këmbën e majtë dhe pas shërimit të përkohshëm është kthyer në Kosovë. Dhe me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës