Google ADS

Gjuriqi me Quint-in: T’i presim hetimet për Ibër Lepenc – të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën me rrymë

16:52 | 30 Nëntor 2024
R J

Në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok, mbrëmë ndodhi një shpërthim i cili u cilësua nga institucionet shtetërore si sulm terrorist.

Për pasojë, pa ujë mbetën qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të disa komunave tjera, raporton Klankosova.tv.

Për këtë rast pati shumë reagime. Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, ndërsa kjo e fundit i mohoi akuzat.

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, në ndërkohë mblodhi në një takim ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe ambasadorin e BE-së në Serbi.

Aty u fol për sulmin e mbrëmshëm terrorist në Zubin Potok.

Siç thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, Gjuriqi në takim theksoi se “bëhet fjalë për sabotim të qartë” dhe se Serbia pa mëdyshje e dënon një akt të tillë, i cili është i drejtuar kundër stabilitetit të rajonit dhe interesave të të gjitha komuniteteve.

Kreu i diplomacisë serbe deklaroi se akuzat e bëra nga Kosova ndaj Serbisë me këtë rast “janë të pabaza dhe të pa vërtetuara”, dhe se, sipas tij, synojnë diskreditimin e Beogradit në një moment të ndjeshëm dhe “keqpërdorimin e situatës për qëllime politike dhe instrumentalizimin e saj në para-fushatën zgjedhore në Kosovë”.

“Serbia, sipas fjalëve të tij, kërkon gjetjen e motivit të sulmit në këtë objekt jetik të infrastrukturës dhe është e gatshme të bashkëpunojë me prezencën ndërkombëtare në Kosovë për të ndriçuar të gjitha rrethanat dhe mundësisht gjetjen dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Shtohet se ministri Gjuriq theksoi se është e rëndësishme që ndërkohë, para se hetimi të japë ndonjë përgjigje konkrete, të gjithë të përmbahen nga akuzat e pabaza dhe drejtimin në mënyrë arbitrare të gishtërinjve ndaj kujtdo, si dhe që policia në terren në kryerjen e veprimeve hetimore të mos e përdorë këtë situatë si justifikim për dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut të qytetarëve.

“Serbia, siç është prezantuar para bashkëbiseduesve, është e gatshme t’i ndihmojë autoritetet lokale dhe Prishtinën me furnizimin me energji elektrike deri në riparimin e dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc dhe është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë në riparimin e dëmeve”, u tha në këtë njoftim.

Në takim morën pjesë përfaqësues të ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

Të ngjashme