Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha sot se delegacioni i Serbisë në negociata me Kosovën do të insistojë në respektimin e të drejtës ndërkombëtare, që, sipas tij, do të thotë mbrojtjen e monumenteve të shenjta serbe në Kosovë dhe të mundësohen të drejtat e njeriut.
“Kemi shumë argumente që mund t’i paraqesim kur bëhet fjalë për fushën e së drejtës ndërkombëtare”, tha Gjuriq për ‘TV Prva’ dhe theksoi se “e drejta ndërkombëtare flet qartë për paprekshmërinë e kufijve të shteteve sovrane”, transmeton Telegrafi.
Ai përkujtoi se bashkësia ndërkombëtare, ushtarakisht dhe politikisht, ishte një aktor në konfliktet në Kosovë.
“Pa pjesëmarrjen e tyre aktive [bashkësia ndërkombëtare], nuk është reale të presim bisedime. Serbia dëshiron të flasë në mënyrë racionale dhe serioze dhe ka përgatitur një paketë serioze për krijimin e bashkëpunimit shumë më të mirë ekonomik dhe lidhjeve infrastrukturore”, tha Gjuriq.
“Ne nuk mund të ndikojmë në të kaluarën, por duhet dhe mund të ndikojmë në të ardhmen”, tha ai.