Për një vit, Kosova e kishte të ndaluar të aplikonte për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Këtë ia ndalonte moratoriumi i dalë nga marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar.
Ky moratorium njëvjeçar, i cili bëri që edhe Serbia ta ndërpriste fushatën kundër njohjeve të shtetit të Kosovës, skadon të shtunën më 4 shtator.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit Amerikan të premten inkurajoi Kosovën dhe Serbinë, që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, tha një zëdhënës për Zërin e Amerikës duke u përgjigjur në pyetje lidhur me përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit.
Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka komentuar këtë.
Sipas presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Kosova do të fillojë me kërkesa të reja për pranim në organizata ndërkombëtare – nisur nga INTERPOL-i, UNESCO-ja dhe Këshilli i Evropës.
Vuçiq tha në Blled të Sllovenisë këtë javë se “këto informacione i kanë ardhur nga burimet e inteligjencës vendase”.
Mirëpo në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kanë dhënë shumë detaje se cilat organizata janë synim i kësaj ministrie pas skadimit të moratoriumit.
Përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo ministri ka njoftuar se “natyra e ndjeshme e kësaj teme e bën të pamundur publikimin e rrethanave konkrete, pa rrezikuar dëmtimin e interesave strategjike të vendit”.
“Ky është një proces i pandërprerë, i cili fillimisht i nënshtrohet një analize të thellë të kushteve dhe rrethanave dhe bazohet në prioritetet e politikës së jashtme dhe interesat strategjike të vendit. Procesi i anëtarësimit varet natyrisht edhe nga afatet e aplikimit në organizatat ku synohet anëtarësimi”, thuhet në përgjigje.
Primar është anëtarësimi në OKB
Ndryshimi i qeverive në Kosovë, por edhe i ministrave të punëve të jashtme, ka bërë që shteti i Kosovës të mos e ketë fokusin e duhur për politikën e jashtme, thotë Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus (D+).
Abrashi thotë për Radion Evropa e Lirë se synimi i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas tij, shtetësia e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimi vetëm atëherë kur të anëtarësohet si shtet i barabartë dhe anëtar i barabartë në OKB.
Abrashi thotë se pikërisht për këtë arsye bëhet rezistencë nga Serbia dhe aleatët e saj për ta penguar një proces të tillë.
“Duhet të kemi parasysh që ani pse po skadon ky moratoruium, në fakt Kosova ka qenë edhe ashtu-kështu e papërgatitur që të bëjë aplikime në organizata ndërkombëtare. Derisa të ndodhë anëtarësimi në OKB, Republika e Kosovës duhet t’i vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në INTERPOL dhe UNESCO, përpjekje këto që i ka filluar tash e disa vite dhe që kanë dështuar për pak vota”, thotë Abrashi.
Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë lobimin dhe procesin e sigurimit të mbështetjes në këto dy organizata, pasi i është mundësuar të aplikojë në këto organizata pa qenë pjesë e OKB-së.
Muajin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “nëse dikush merr vendim për njohjen e Kosovës shtet të pavarur”, Serbia “do të nisë menjëherë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”.
Pas skadimit të moratoriumit njëvjeçar, Serbia sipas Emir Abrashit nga D+, pritet të rifillojë ofansivën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Kjo sipas tij mund të bëhet më e lehtë për Serbinë, tash kur Kosova ka mungesë të ambasadorëve në vende të ndryshme të botës. Mungesa e ambasadorëve sipas Abrashit, do të ndikojë në ftohjen e raporteve me disa vende mike siç është rasti i Australisë.
“Ne tashmë kemi mungesë ambasadorësh në qendrat kryesore të diplomacisë botërore. Nga 32 misione diplomatike sa ka Kosova, vetëm në 9 ka ambasadorë dhe kjo pa dyshim që do të na kushtojë. Ne i kemi dy nga zonat më të cenueshme për fushatën e çnjohjeve nga ana e Serbisë. Paqësorin që mbulohet nga ambasada e Kosovës në Kambera të Australisë, si dhe kontinentin afrikan që mbulohet nga ambasada jonë në Senegal, që aktualisht janë pa ambasadorë”, thotë Abrashi.
Abrashi thotë se procesi i njohjeve të reja të Kosovës është i lidhur ngusht me procesin e dialogut dhe sipas tij, pa mbaruar ky proces nuk pritet të ketë njohje të reja.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë thënë se “ndër prioritetet kryesore kjo ministri ka krijimin e një strategjie të mirëfilltë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës duke përfshirë këtu edhe lobimin për njohje nga shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës”.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë, janë 117 vende që e njohin shtetin e Kosovës.
Kurse Serbia që nga vitit 2017, thuhet se ka bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe, për pasojë, disa vende thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.
Në shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Shkencëtarët në Peru zbulojnë një fosil krokodili 12 milionë...
Arrestohet një person në Prishtinë, kërkohej për vrasje në t...
Kështu e festojnë 28 nëntorin mërgimtaret në Gjermani
Sekretari Blinken uron Shqipërinë
Anulohet samiti i liderëve të rajonit dhe BE-së në Bosnje, d...
FSK bënë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz