Google ADS

Gjoshi i PDK-së: Qeveria Kurti shumë joprofesionale, e padijshme dhe jo bashkëpunuese

14:54 | 18 Prill 2020
L G

Shteti serb ditë më parë ka dërguar ndihmë rreth 1,000 teste  për COVID-19 në Kosovë.

Kjo u pranua edhe nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një emision debatues të premten.

Zyrtarë të opozitës në Kosovë, vlerësojnë se krejt kjo po ndodh si pasojë e kryeneçësisë së kryeministrit Kurti, i cili sipas tyre ka prishur marrëdhëniet me shtetet mike.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi thotë se  këtë qeveri që nga fillimi  e karakterizon një mos transparencë para qytetarëve.Sipas tij, kjo qeveri fillimisht mashtroi, duke thënë se ka rreth 7,000 teste, gjë e cila sipas tij doli të jetë e pavërtetë.

Gjoshi thotë se si rezultat i sjelljeve të kësaj qeverie me partnerë të tjerë ka bërë që  Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia  të mos kenë partner ku mund të kërkojnë ndihmë, përveç  në Serbi.

“Ju e dini që vazhdimisht ka deklaruar se i  ka rreth 7,000 teste, e pastaj doli që nuk i ka, pastaj si rezultat i sjelljeve të saj me partnerë, e ka pru në gjendje Albin Kurti dhe ministri Vitia që të vetmin partner ku mund të kërkojnë ndihmë  t’a kenë Serbinë”, tha Gjoshi për arbresh.info.

Ai, thotë se Kurti i ka ftohë marrëdhëniet edhe me shtetin shqiptar.

“Albin Kurti qysh në vizitën e tij të parë në Shqipëri, me sjelljet e tij i ka prish marrëdhëniet me gjithë lidershipin  dhe drejtuesit e institucioneve në Shqipëri dhe as atje s’i ka mbet vend më që të kërkoj ndihmë,  mos të flas për partnerë të tjerë si Amerika. Si rezultat i kryeneçësisë tij, nuk ka kërkuar ndihmën e tjerëve që ruajnë marrëdhënie të mira me ministrat edhe me lidershipin e shteteve mike, dhe i ka mbet rruga e vetme Serbia dhe e ka pru Kosovën në atë gjendje që mi kërku ndihmë Serbisë”, u shpreh Gjoshi.

Sipas tij, Albin Kurti në vazhdimësi ka gënjyer.

Ai thotë që me marrëveshje të fshehta, Kurti  ka sjell edhe mjekë serbë në Kosovë, madje  sipas tij, javën e kaluar ministrit Vitia dhe  homologut të tij serb, kanë pasur dy lidhje telefonike ku kanë biseduar për çështje të ndihmës ndaj Kosovës.

“Këta le që po janë kryeneç, por po janë edhe shumë të padijshëm, shumë joprofesional dhe shumë jo bashkëpunues. Këto veprime janë jashtëzakonisht të rrezikshme për integritetin e Kosovës, për sovranitetin e saj, mos të them edhe për shëndetin e qytetarëve”, tha Gjoshi.

Gjoshi pohon se alternativa e fundit për ndihmë ndaj Kosovës, do të duhej të ishte Serbia.

“Unë mendoj që Kurti dhe qeveria është dashur të kërkojnë diku tjetër ndihma dhe jo ta shfrytëzoj ndihmën e fundit, se kur është në pyetje shëndeti, ndoshta si alternativë e fundit nuk është dashur të refuzohet, por nuk ish dashtë të varemi nga testet e Serbisë”, tha tutje ai.

Gjoshi tha se në kohën kur Ministra e Shëndetësisë  udhëhiqej nga PDK,  Kosova kishte gëzuar ndihma nga shteti gjerman.

“Mos harroni ne në qeverinë e kaluar, ministri jonë Uran Ismaili ka gëzuar ndihma prej shtetit gjerman dhe ka kërkuar një ekip të tërë mi ndihmu në sigurime shëndetësore. Ajo do të ishte rruga ku do të duhej të kërkonim ndihmë, jo një shtet i cili ka marrëdhënie armiqësorë dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti një ditë më parë në një emision debutues tha se Serbia ishte befasuar nga veprimet e shtetit të Kosovës dhe për këtë ka shprehur një lloj gatishmërie për dërgimin e rreth 1,000 testeve.

Madje, Kurti e bëri të ditur se jo vetëm qytetarët serb do të testohen me ato 1,000 teste.

“Janë befasuar nga veprimet tona dhe më pastaj kanë shprehur një lloj gatishmërie dhe kanë dërguar rreth 1,000 teste”. “Ishte një gjest i mirë nga Serbia. Me ato teste nuk do të testohen vetëm qytetarët serb”, tha ndër të tjera Albin Kurti./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme