Google ADS

Gjithçka dihet deri të martën se kush synon të udhëheqë me Komuna

12:47 | 19 Gusht 2017
Arbresh.info

U kanë mbetur edhe tri ditë partive politike që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetarë të Komunave dhe listat e kandidatëve për Kuvendet Komunale. Po afrohet dita e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, që u caktua të mbahet më 22 tetor. Deri tani, zyrtarisht me disa kandidatë për kryetarë komunash kanë dalë vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e në anën tjetër, PDK, AAK dhe Nisma, ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje lokale është 22 gushti.

Elezi ka thënë për Gazetën Express se deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetarë të Komunave dhe listat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.

“Të gjitha aplikimet që bëhen do të shqyrtohen nëse janë në përputhje me ligjin dhe më pas KQZ-ja vendos për certifikim ose jo”, ka thënë Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Neni 29, shpjegon kush nuk mundet të garojë në zgjedhje të përgjithshme, mirëpo edhe këto lokale.

Atyre që nuk u lejohet të certifikohen si kandidatë për zgjedhje, janë ata persona të cilët kanë pozitën e gjykatësit apo prokurorit, pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarë të policisë, pjesëtar i shërbimit doganor, i agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kryesues i një agjencie të pavarur, përfaqësues diplomatik, kryesues apo anëtar i KQZ’së, pjesëtar i KZAP’it, anëtar i komisionit komunal të Zgjedhjeve, pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti, pjesëtar i ndonjë force policore apo i një trupi të ngjashëm, shkruan Gazeta Express.

Ligji, gjithashtu përcakton se personat të cilët janë duke e vuajtur dënimin të shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, nuk mund të jenë kandidat të zgjedhjeve, e kjo nën akuzë nga Tribunali dhe që ka dështuar të veprojë në përputhje me urdhrin për t’u paraqitur para Tribunalit.

Me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e KZAP’it, personit i hiqet e drejta për të qenë kandidat.

Neni shpjegon se personi i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga KZAP apo KQZ’ja ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të KZAP’it, gjithashtu nuk mund të jetë kandidatë për zgjedhje.

Ligji përcakton se numri i emrave të dorëzuar të kandidatëve nuk mund të jetë më shumë se 10 për qind të numrit të ulëseve të caktuara. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme