Google ADS

Gjini: Mogherini kërkoi votimin e demarkacionit, por jo këtë version

14:48 | 4 Mars 2017
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur sërish kundër miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pasi është i dëmshëm për vendin.

Pas takimit të shtunën me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini,  lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se nuk ka ndryshim të qëndrimeve dhe se nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Ardian Gjini nga AAK-ja tha se Mogherini ua ka bërë me dije se demarkacioni është kusht për liberalizim, por jo në këtë mënyrë dhe këtë version.

“Praktikisht kemi biseduar për të gjitha temat, për demarkacionin , për asociacionin, për mbajtjen e kryetarit Haradinaj në Francë, për çështjet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, për politikën e jashtme. Unioni Evropian nuk dëshiron të na tregojë se ku është vija kufitare, por kërkon nga ne që sa më shpejtë ta bëjmë ratifikimin e demarkacionit për shkak të proceseve, për shkak të liberalizimit të vizave. Edhe ne kemi interes si Aleancë që të ndodhë demarkacioni me Malin e Zi, me qeverinë kemi dallim në këtë pikë ne mendojmë se është gabim edhe pse ne nuk e thamë në takim, mendojmë se Kosova ka më shumë kushte për liberalizimin e vizave sesa vetëm demarkacioni. Mendojmë që është e papërgjegjshme t’i themi qytetarëve që në momentin që do të kemi ratifikim të demarkacionit do të kemi liberalizim të vizave. Është kusht demarkacioni me Malin e Zi për liberalizim të vizave, por nuk është kusht n ë këtë vijë në të cilën po insiston qeveria”, ka thënë Gjini.

Ai ka folur edhe rreth ndaljes së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë, të cilën e ka quajtur të padrejtë.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi nga Nisma nuk është prononcuar pas takimit me Mogherinin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme