Gjinekologjisë i shtohet Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, shërbim që kryhej vetëm në klinika private

15:23 | 22 Mars 2023
K.B

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës,  Vjosa Osmani, vizituan sot Klinikën e Gjinekologjisë.

Aty janë njoftuar për parapërgatitjet finale për të funksionalizuar shërbimet e reja të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikës, në kuadër të planit të veprimit dhe dinamikës së paraparë. Stafi i Klinikës së Gjinekologjisë i njoftoi edhe për punën dhe shërbimet
që ofrohen në baza ditore.

Vitia dhe Osmani panë nga afër përgatitjet infrastrukturore, të cilave u janë shtuar edhe mbi 1.5 milonë euro të dedikuara për paisjet specifike
me qellim te funksionalizimit te shërbimit të FAM.

Pas aprovimit të Projektligjit për FAM nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes së cilit do të plotësohet edhe aspekti legjislativ, ministri Vitia deklaroi se ndikimi pozitiv i kësaj iniciative për popullsinë e Kosovës është dukshëm më i lartë se sa kostoja e saj.

“Gjatë vitit të parë, për funksionalizimin e shërbimit për FAM është ndarë shuma në vlerë mbi 1.5 milion euro për sigurimin e pajisjeve të nevojshme dhe sigurimin e materialit shpenzues”, deklaroi ministri Vitia, i cili gjithashtu e falënderoi presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme.

Ndërsa, Presidentja Osmani deklaroi se çdo shërbim shëndetësor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se ajo mbetet e përkushtuar që të përkrahë çdo kërkesë që do të jetë në shërbim të shëndetit të qytetarëve, duke e theksuar edhe rëndësinë që e ka Fertilizimi i Asistuar Mjekësor (FAM).

Me FAM, adresohet mbi 15% të popullsisë të moshës riprodhuese të Kosovës të cilët kanë probleme me infertilitet, si dhe mundësohet diagnostikimi i hershëm
sëmundjeve të trashëgueshme. /arbresh.info/


Të ngjashme